MAQEDONI- SHBA dhe NATO presin formimin e qeverisë së re në Maqedoni, në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike në vend. Ambasadori i SHBA në Shkup, Baily ka bërë thirrje që çështjet më të rëndësishme të vendit të diskutohen në Parlament, dhe të vazhdohet me procesin e formimit të qeverisë.

Ai thotë se mosformimi i qeverisë, nuk pajtohet me kushtetutën e vendit.

Sakaq, edhe kreu i Zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Bartol tha se duhet të respektohet shumica parlamentare. Ai tërhoqi vërejtjen për shmangien e retorikës nacionaliste dhe veprimeve që cenojnë marrëdhëniet ndëretnike.

“Është përgjegjësi e të gjithë liderëve politikë ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje të shpejtë për zhbllokimin e procesit dhe të formojnë shpejt një qeveri funksionale dhe efektive, të fokusuar në reformat urgjente prioritare, që do të punojë për të mirën e të gjithë qytetarëve. Aleanca dhe Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu iu bënë thirrje të gjitha partive t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të shmangin veprimet që nxisin tensionet ndëretnike”, deklaroi Gorazd Bartol, kreu i zyrës së NATO-s në Shkup.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë përsëritën edhe një herë se Maqedonia duhet t’i zgjidhë vetë problemet dhe të përmbushë kushtet e parashtruara nga BE dhe NATO në mënyrë që të mund të mbështetet tek to.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb