SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia do të zhvillojnë në shtator një stërvitje të përbashkët ushtarake në ujërat pranë Koresë së Jugut, në një lëvizje që synon forcimin e mbrojtjes ndaj kërcënimeve raketore dhe bërthamore të Koresë së Veriut.

Stërvitja, e pagëzuar “Freedom Edge”, do të zhvillohet nga 7 deri më 11 shtator në ujërat ndërkombëtare në lindje dhe jug të ishullit Jeju.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, stërvitja vjetore ka karakter mbrojtës dhe synon rritjen e gatishmërisë së tre vendeve përballë kërcënimeve që vijnë nga Pheniani.

Luftë kundër nëndetëseve dhe mbrojtje nga raketat

Gjatë “Freedom Edge” pritet të zhvillohen një sërë skenarësh ushtarakë, përfshirë mbrojtjen ajrore, luftën kundër nëndetëseve, mbrojtjen kibernetike dhe reagimin ndaj raketave balistike.

Stërvitja u organizua për herë të parë në vitin 2024, pas marrëveshjes së liderëve të SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë në samitin historik të zhvilluar në Camp David.

Kapitenja Chloe Morgan, zëdhënëse e Komandës së SHBA-së për Paqësorin, deklaroi se stërvitja do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit ushtarak mes tre aleatëve.

Sipas saj, nisma synon të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Paqësorit.

Trump uli më herët përmasat e stërvitjeve

Njoftimi për “Freedom Edge” vjen pak ditë pasi përfunduan stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Këto stërvitje përfunduan më 21 gusht, pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi papritur shkurtimin e tyre. Trump i kishte cilësuar më herët stërvitjet si tepër provokuese ndaj liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Presidenti amerikan ka shprehur gjithashtu dëshirën për të zhvilluar një takim të ri me Kim Jong Un, duke deklaruar se synon të takohet me të brenda këtij viti.

Pheniani nuk tërhiqet

Pavarësisht sinjaleve të ardhura nga Uashingtoni për një rikthim të dialogut, Koreja e Veriut nuk ka dhënë shenja për ndryshim të qëndrimit të saj.

Pheniani ka vijuar testimet raketore dhe ka dënuar vazhdimisht stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, duke i konsideruar ato si kërcënim ndaj sigurisë së vendit.

Në këtë klimë tensioni, zhvillimi i “Freedom Edge” pritet të jetë një tjetër test për bashkëpunimin ushtarak mes Washingtonit, Seulit dhe Tokios dhe për strategjinë e tyre të përbashkët ndaj Koresë së Veriut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb