Mbi 70 000 video janë hequr dhe 9 000 kanale janë mbyllur nga YouTube në Rusi që nga shpërthimi i luftës, shkruan ”The Guardian”, që tregon sesi platforma pjesë e grupit Alphabet ka përshpejtuar luftën kundër dezinformimit mes përdoruesve.

Një nga arsyet pse gjiganti amerikan po bllokon filmat dhe autorët e tij rusë qëndron në përshkrimin e përmbajtjes mbi luftën si “mision çlirimtar”.

Që nga fillimi i konfliktit në shkurt, YouTube ka hequr kanalet e autorëve të ndjekur, nga gazetari pro Kremlinit, Vladimir Solovyov te profilet institucionale, përfshirë ato të lidhura me Ministritë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme, të pezulluara përkohësisht nga ngarkimi i videove.

“Ne kemi një politikë rigoroze të ngjarjeve të dhunshme dhe kjo vlen për ngjarjet që variojnë nga mohimi i Holokaustit deri te masakra e Sandy Hook. Dhe sigurisht, ajo që po ndodh në Ukrainë është një ngjarje e madhe e dhunshme”, deklaroi kompania.

Faqja e Youtube ka rreth 90 milionë përdorues në Rusi dhe, megjithëse nuk lejon më investime reklamuese nga individë dhe organizata në vend, ajo është ende e disponueshme falas për qytetarët, ndryshe nga aplikacionet e tjera, si Facebook dhe Instagram, të dyja të bllokuara nga ”Roskomnadzor”, agjenci përgjegjëse për komunikimet në Moskë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb