Në rubrikën “Opinion” këtë pasdite në News24, Rozarka Budina, shefe e departamentit të Stomatologjisë në Universitetin “Luarasi”, u shpreh se studentët e këtij departamenti kanë kurrikulat me bashkëkohore, të përzgjedhura nga përvoja shqiptare dhe e vendeve fqinje dhe europiane.

Ajo u shpreh se studentët janë shumë entuziastë për t’u futur në praktikë, ndërsa nuk mungojnë herë pas here aktivitetet shkencore, të cilët u japin mundësi që të bëjnë bashkë teorinë dhe praktikën.

“Kurrikula është bashkëkohorë, e përzgjedhur nga përvoja shqiptare dhe e vendeve fqinje dhe europiane. Aktivitetet shkencore nuk kanë munguar, kemi pasur një të tillë para 2 muajve ku studentët ishin pjesë e temave shkencore, të cilët e morën me shumë qejf sepse bashkojnë mësimet e teorisë me praktikën shkencore. Do të jetë dhe një bazë për përgatitjen e tyre që kur të vijë fundi për të mbrojtur diplomën do të jenë të përgatitur. Ne i përgatitim që në vitin e parë me kërkimin shkencor”, tha ajo.

Sa i përket pajisjeve laboratorike, Budina tha se Universiteti “Luarasi” është në negocim me një kompani gjermane për pajisjen e laboratorëve paraklinik dhe klinik.

“Jemi në negocim me një kompani gjermane për pajisjen e laboratorëve paraklinik dhe klinik, të cilat fillojnë nga mesi i vitit të tretë, por ne e kemi vënë punën në vijë, gjithë kabinetet do instalohen në ndërtesën kryesore të Universitetit “Luarasi”, që është një pikë shumë e kapshme në qytetet. Pajisje shumë bashkëkohore, në vitin e dytë studentët do ushtrohen në modele dhe diku nga mesi i vitit të tretë do kalojnë në klinikë me pacientë, nën kujdesin e pedagogëve”, u shpreh pedagogia Budina.

Ndërkohë teknologjia në stomatologji evoluon me shpejtësi, tha ajo, duke shtuar se për të qenë koherent, insistojnë në shkëmbime me universitete të huaja.

“Shumë shpejt ecën, ka gjithmonë të reja dhe ndaj ne insistojmë në aktivizimin e temave shkencore dhe shkëmbimin me kompani apo universitete të ndryshme europiane. Do të vijnë ata tek ne, do të çojmë edhe ne tek ata. Do të kemi një shkëmbim. Unë jam vërtetë shumë e kënaqur me studentët tanë, në vlerësimin e studentëve. Gjatë vitit kanë qenë shumë aktiv, nuk ka pothuajse fare mungesa, janë shumë aktivë në seminare, në provimet e ndërmjetme. Shpresojmë që të marrim rezultate të mira dhe në provimet e fundvitit”, pohoi ajo.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb