Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Shefja e Zyrës Rajonale të Sigurimit pranë ambasadës amerikane në Tiranë Karen D Riley nënshkruan në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, një Memorandum Mirëkuptimi.

Ky Memorandum Mirëkuptimi përcakton rolet dhe përgjegjësitë për krijimin dhe menaxhimin e një misioni të përbashkët për të luftuar mashtrimin me viza, pasaporta dhe forma të tjera të dokumenteve të udhëtimit dhe për të investiguar krimet me interes të përbashkët për ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë.

Drejtor Veliu dhe Shefja e Zyrës Rajonale të Sigurimit znj. D Riley e kanë vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit, Zyrës Rajonale të Sigurimit në ambasadën amerikane në Tiranë dhe agjencive ligjzbatuese amerikane dhe e kanë cilësuar këtë Memorandum si një tjetër shembull të besueshmërisë të parterëve të Policia e Shtetit.

Veliu u shpreh: “Përshëndetje të gjithëve. Është një ditë e veçantë për ne sot të kemi kolegët e Zyrës së Shërbimit Diplomatik të Sigurisë këtu në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ashtu siç shikohet edhe nga prezenca tregon që kemi një event apo një çështje të veçantë, të cilën ne do ta konkretizojmë sot me nënshkrimin e një marrëveshjeje. Kjo marrëveshje është në vazhdën e bashkëpunimit shumë të mirë që ne kemi me këtë zyrë dhe do të jetë një mundësi akoma më e madhe për të shfrytëzuar kapacitetet e përbashkëta të Drejtorisë së Përgjithshme dhe të agjentëve specialë të kësaj zyre për të luftuar së bashku kontrabandimin e qenieve njerëzore, por jo vetëm, edhe në drejtim të shkëmbimit të eksperiencave të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke treguar edhe njëherë që jemi të besueshëm të të gjitha agjencive të tjera ligjzbatuese, duke bërë të mundur dhe dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e parametrave të sigurisë, jo vetën në vendin tonë, por në Bashkimin Evropian dhe më gjerë. Kështu që duke vlerësuar maksimalisht eksperiencën e përfituar gjatë dy viteve të kaluara në hetimet e përbashkëta të realizuara, marrëveshja që do të nënshkruajmë sot do të çojë më tej këtë bashkëpunim siç e theksova më përpara dhe do të mundësojë drejtpërdrejt në suksesin e operacionit të radhës”.

Znj. D Riley: “Është një ditë shumë e veçantë sot dhe jam shumë e nderuar që jam këtu sot për të firmosur këtë Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet dy palëve, pra me Policinë së Shtetit do të jetë një punë shumë e mirë që ne do të bëjmë bashkërisht në kontrabandimin e qenieve njerëzore dhe në trafikime të tjera apo operacione të tjera të përbashkëta. Policia e Shtetit është një partner shumë i fuqishëm i joni dhe jam shumë e lumtur që do të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe që do të firmosim këtë Memorandum Mirëkuptimi sot.

Në fund, Drejtor Veliu dhe znj. D Riley kanë firmosur Memorandumin e Mirëkuptimit, për t’i hapur rrugë zbatimit të modaliteteve të përcaktuara në këtë memorandum.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb