Avokatja e njohur Eni Çobani është përfshirë sot në një debat gjatë një seance gjyqësore, ndërsa ka përfunduar në polici për sqarim. Teksa përfaqësonte në sallën e gjyqit në Gjirokastër, Merushe Makrin, Çobani ka nisur një konflikt verbal me ish-nusen e klientes së saj, Rudina Islamaj. Kjo e fundit ishte ajo që denoncoi kryetarin e Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Boci, duke i bërë një kamer të fshehtë, ndërsa e akuzoi për ngacmim seksual.

Ky ‘precedent’ i Ismajlit ka bërë që Çobani që në nisje të seancës të kërkonte që ndaj gruas të ushtrohej kontroll, nëse kishte ndonjë përgjues me vete. Kaq mjaftoi që mes tyre të niste një debat verbal. Gazetarja Brikena Metaj raporton për ‘BalkanWeb’ se Çobani i është drejtuar se; “Nga unë nuk do të shpëtosh kurrë, deri sa të jem gjallë”. Fill pas këtij debati, avokatja Çobani ka shkuar në polici, ku është sqaruar për sherrin në fjalë.

Rudina Islamaj është në një proces gjyqësor me ish-vjehrrën e saj, Merushe Makrin, pasi kanë një konflikt për çështje pronësie. Kujtojmë se Merushe Makri, në vitin 2016-të u përfshi në një konflikt me ish-nusen e djalit të saj, Rudina Islamaj, sherr që u bë publik edhe në rubrikën “Shihemi në gjyq” që drejton Eni Çobani. Gjatë emisionit, vjehrra akuzoi ish-nusen se e kishte dhunuar dhe nxjerrë forcërisht nga banesa e saj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb