DURRES– Pas ngjarjes së ndodhur dy ditë më parë në Portin e Durrësit, ku pasagjerët e një trageti u përfshirë në një sherr të madh me rojet e sigurisë, ka reaguar edhe policia e qytetit bregdetar. Shkak për dhunën u bë vonesa e tragetit për disa orë, duke shkaktuar nervozizëm e shqetësim tek udhëtarët që prisnin në port.

Pas Drejtorisë së Përgjithshme Detare, edhe Policia e Durrësit ka dhënë versionin e saj për ngjarjen.

“Në lidhje me një incident që ka ndodhur më datë 11.08.2018 në sheshin e trageteve në Port-Durrës, informojmë se konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari -Durrës-Bari dhe pasagjerëve. Pasagjerët ishin acaruar pasi kishin disa orë që prisnin për ti nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, njoftohet se ka nisur procedimi penal ndaj një 35-vjeçari italian, me detyrë roje fizike i linjës Bari- Durrës- Bari, pasi është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali.

“Në lidhje me ngjarjen ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, në ngarkim të shtetasit I. M, 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të linjës Bari- Durrës- Bari, pasi ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali. Konflikti u shua me ndërhyrjen e punonjësve të Policisë së Kufirit Durrës.

Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës për rastin në fjalë, me qëllim analizimin dhe parandalimin e rasteve të tjera i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Portual Durrës mbledhjen e Komitetit të Sigurisë me të gjithë Operatorët në marrjen e masave të nevojshme”, vijon reagimi i Policisë së Durrësit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb