NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- “Don Kishoti i Mançes” mbrëmja e baletit me koreografi nga Eugenio Scigliano pati sukses të martën në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Mes trupës së njohur italiane të “Aterballetto” interpretonte edhe balerini shqiptar Hektor Budlla. Baleti u ndoq nga rreth 750 spektatorë duke mundur të mbledhë 2200 euro të ardhura që do të shkojnë për Shkollën e Baletit. Përtej shumës, mesazhi që synoi të jepte një mesazh: Të kthejmë sytë nga Shkolla e Baletit. Baleti “Don Kishoti i Mançes” me protagonist shqiptarin Budlla erdhi në Tiranë si bashkëpunim mes Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadës Italiane në Tiranë.

Ideja fillestare ishte që paratë e mbledhur nga biletat ti shkonin Shkollës së Baletit në Tiranë për të krijuar bursa studimi për nxënësit që vijnë nga zonat periferike të Shqipërisë. Por, pas shfaqjes së të martës, ditën e mërkurë, balerini Budlla së bashku me drejtoreshën e Institutit Italian të Kulturës Adriana Frisenna dhe tre balerinë të tjerë, kanë bërë një vizitë në ambientet e shkollës. Të përballur me gjendjen e rëndë të ambienteve dhe kushteve në të cilat punojnë dhe mësojnë nxënësit, destinacioni i përdorimit të të ardhurave tashmë po ridiskutohet.

ANKESAT
“Gazeta Shqiptare” ka kërkuar nga drejtoresha e Shkollës së Baletit Blerina Arbana të dijë cilat janë problematikat e shkollës. Sipas saj, “Shkolla e Mesme Kombëtare e Koreografisë, si e vetmja shkollë specifike në llojin e saj në Republikë, ka disa probleme emergjente, të cilat dëshirojmë t’ua bëjmë prezent, pasi gjendja aktuale e tyre kërkon ndërhyrje të menjëhershme”. Ajo i rendit si më poshtë problematikat:
1 – Riparimi i tarracës. Gjendja e saj është shumë e rënduar dhe gjatë zhvillimit të procesit mësimor u shkëput një pjesë e saj duke rrezikuar jetën e nxënësve dhe tani, sa herë bie shi, ujin e mbledhim me kova.
2 – Sistemi i ngrohjes (kaldaja), nuk funksionon. Nxënësit punojnë me uniformë baleti dhe ngrohja është e domosdoshme, pasi muskulatura nuk mund të punojë në këto kushte dhe kush më mirë se Ju, mund të na mirëkuptojë.
3 – Riparimi i parketeve të sallave të baletit, pasi është bërë pothuajse i pamundur zhvillimi i orës mësimore në këto salla, duke pasur dhe incidente të ndryshme te nxënësit.
4 – Statusi kombëtar i shkollës sonë, është një status i cili është vendosur që në krijimin e saj. Si shkollë e vetme në Republikën e Shqipërisë, ky status nuk mund të ndryshohet. sepse përzgjedhja selektive e nxënësve bëhet në rang republike dhe jo në rang rrethi.
I vetmi ndryshim që duhet bërë, është ndryshimi i emërtimit nga shkollë koreografike në akademi, sepse shkolla jonë është në kërkim, zbulim dhe studim të talentit dhe luan rolin e një laboratori ku latohet dhe perfeksionohet talenti dhe pas përfundimit të kësaj shkolle, nxënësi bëhet balerin profesionist i aftë për tregun e punës, ashtu si të gjitha shkollat homologe në botë.

SHKOLLA
Shkolla e Baletit është një akademi baleti e themeluar në vitin 1957 nga Këshilli i Ministrave. Ajo mirëpret studentë nga mosha nëntë deri në 18 vjeç. Gjatë viteve shkolla ka trajnuar një numër të konsiderueshëm balerinësh, koreografësh dhe mësuesish me famë ndërkombëtare, si: Ilir Kerni, Hektor Budlla, Eris Nezha, Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, Gentjan Doda, Rezart Stafa, Eno Peçi, Marlon Dino, Erion Kruja, Brigel Gjoka, Leart Duraku, Dorian Grori, etj. Me gjithë këta emra të njohur që kanë dalë nga kjo shkollë, duke i dhënë Shqipërisë emër të mirë në skenën ndërkombëtare të artit, gjendja e shkollës ndër vite është lënë nga shteti jashtë vëmendjes.

Së paku, ky duket të jetë vetëm fillimi, pasi nisma pritet të shtrihet në vite. Me gjithë faktin që shuma është simbolike, balerinët e së ardhmes, nga ato më elementaret, po bëhen publike. Balerini Budlla, i lindur në Tiranë (në vitin 1982, ka ndjekur kursin e studimeve të vallëzimit klasik dhe është diplomuar në Shkollën e Baletit të qytetit në vitin 2001, me Maestrot S. Dajgi dhe L. Satino. Ka fituar çmimin e parë në konkursin “Dance Meeting me passo a due” nga “Arrëthyesi”. Ka hyrë në “Aterballetto” në gusht të vitit 2008.

Në vitin 2014 ka krijuar për “Aterballetto” “Revolution”, në vitin 2015 “Nordest 4119”. SHFAQJA Sipas materialeve të shpërndara nga Instituti Italian i Kulturës, Don Kishoti është frekuentuar shpesh nga teatri i baletit, sepse koreografi është i interesuar të evokojë përmes metaforës së lëvizjes një kusht që është rezultat i veprimeve ndonjëherë të çuditshme të një bote të brendshme e mbushur me ëndrra dhe ideale, gjen te Hidalgo i Cervantes- it sintezën e përsosur dhe burimin e pashtershëm të frymëzimit. Eugenio Scigliano arrin në projektin e ri për “Aterballetto” që me ndjeshmëri të reflektohet në personazhin e tij dhe përkthen zhvendosjen e njeriut dhe nevojën për të mos hequr dorë nga idealet e tij edhe pse realiteti komploton për t’i mbytur. Vepra bazohet në muzikën spanjolle të shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe atë të ditëve tona, si dhe mbi kompozimet e finlandezit Kimmo Pohjonen.

KOMPANIA “ATERBALLETTO”
“Aterballetto” është kompania kryesore e prodhimit dhe shpërndarjes së spektakleve të vallëzimit në Itali si dhe realiteti i parë stabël jashtë fondacionit lirik. E krijuar në vitin 1979, paraprirë nga përvoja e Kompanive të Baletit të Teatrove të Emilia Romagna-s nën drejtimin e Vittorio Biagi, është formuar nga solistë kërcimtarë në gjendje të trajtojnë të gjitha stilet. “Aterballetto” njihet gjerësisht edhe në nivel ndërkombëtar. Pas Amedeo Amodio, i cili e drejtoi atë për gati 18 vjet dhe Mauro Bigonzetti drejtor artistik nga viti 1997 deri në vitin 2007 si dhe koreografi kryesor i kompanisë deri në vitin 2012, që prej vitit 2008 drejtimi artistik i është besuar Cristina Bozzolini, balerina e parë fikse e Maggio Musicale fiorentino.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: