Kanë ndërruar jetë edhe dy pacientë të tjerë me koronavirus në vendin tonë, duke e çuar në 53 numrin total të viktimave.

Lajmin e hidhur e bën të ditur Ministria e Shëndetësisë, e cila bën me dije se viktimat janë një 59-vjeçare nga Lushnja dhe një 77-vjeçar nga Vlora.

“Dy qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19 në 24 orët e fundit. Një 59 vjeçare nga Lushnja me insuficencë renale kronike dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe një pacient 77 vjeçar nga Vlora, i cili vuante nga hipertensioni, që trajtohej prej 10 ditësh në terapi intensive nuk kanë mundur të mbijetojnë pavarësisht mjekimit intensiv dhe pëpjekjeve maksimale të stafit mjekësor”, tha MSH.

Kujtojmë që edhe një ditë më parë ndërruan jetë dy pacientë të infektuar, ndërsa situata te Spitali Infektiv vijon të jetë e rënduar dhe me shtrime të reja, ku aktualisht po trajtohen 81 pacientë, 12 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb