Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja duhet të godasë Indinë që rishit naftën ruse në Evropë si lëndë djegëse të rafinuar.

Në një artikull të botuar në Financial Times, Borrell tha “ne duhet të veprojmë” për të frenuar rrjedhën e naftës nga Rusia në Indi, e cila është bërë një nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse që kur Moska filloi pushtimin e saj në Ukrainë.

“Nëse nafta ose benzina po hyjnë në Evropë, që vijnë nga India dhe prodhohen me naftën ruse, kjo është sigurisht një anashkalim i sanksioneve dhe shtetet anëtare duhet të marrin masa,” tha ai.

Sakaq, Borrell tha se ai do ta ngrinte çështjen me ministrin e jashtëm të Indisë, me të cilin do të takohet sot.

India, e cila importon 80% të naftës së saj, para luftës bleu vetëm rreth 2% deri në 3% nga Rusia. Por ndërsa çmimet e naftës u rritën vitin e kaluar, qeveria rriti në mënyrë të vazhdueshme konsumin e saj nga Moska, duke përfituar nga zbritjet e mëdha.

Një raport i fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë zbuloi se eksportet ruse të naftës “arritën një nivel të lartë pas pushtimit” në prill të këtij viti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb