*KLSH: Dëmi ekonomik nga dy projektet, 2 mln e 600 mijë euro

NGA VJOLLCA KONGJONI

TIRANE– Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori kryetaren e Komisionit Qendror të zgjedhjeve Lefterie Luzi. Padia vjen si pasojë e disa shkeljeve që KQZ ka bërë në vitin zgjedhor të 2013-ës në lidhjen e kontratës me firmën INDRA e cila mori përsipër të kryente projektet pilot në Fier dhe në Tiranë. Sipas konstatimeve të KLSH, Luzi ka firmosur marrëveshjen kontraktore me kompaninë spanjolle pa marrë më parë mendimin e Avokaturës së Shtetit sikurse e parashikon edhe ligji.

Në 6 nene të kontratës së firmosur nga kreu i KQZ është favorizuar kompania INDRA, e cila e fitoi të drejtën e kryerjes së projekteve pa tender në kushte emergjence, për shkak të kohës së shkurtër nga afati i kohës së zgjedhjeve më 23 qershor.

Kontrata është firmosur më 11 mars të 2013-s ndërkohë që përgjigja e avokaturës së shtetit ju dërgua një ditë më vonë. Sipas marrëveshjes KQZ-IDRA, shteti shqiptar del i pambrojtur në rast të prishjes së kontratës. Duke qenë se të dy projektet pilot për numërimin elektronik të votave të zhvilluara në Fier dhe Tiranë nuk ishin efektive, pasi asnjëri prej tyre nuk funksionoi, kompania spanjolle do të duhet t’i paguante shtetit shqiptar dëmin ekonomik të shkaktuar. Por me kushtet që kryetarja e KQZ Luzi, firmosi në kontratë, favorizonte kompaninë kontraktuese duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një humbje prej 2 milionë e 600 euro.

Në nenin 9 të marrëveshjes Avokatura e Shtetit i rekomandon KQZ që të drejtën e zgjidhjes së kontratës e ka vetëm KQZ, ndërkohë që kjo e fundit artikulon në marrëveshje se e ka firma INDRA System të drejtën e prishjes së kontratës në rast të mosrespektimit të marrëveshjes.

Një tjetër shkelje që KLSH ka konstatuar në kontratë ka të bëjë me mosrespektimin e Kodit Zgjedhor i cili përcakton se lista e subjekteve garuese në zgjedhje duhet të dorëzohet 40 ditë para datës së procesit zgjedhor, ndërkohë që Luzi e ka firmosur atë që në muajin mars duke përcaktuar në fletën e votimit vetëm 42 subjekte. Por deri në 40 ditë përpara zgjedhjeve kjo listë mund të ndryshonte. Kjo sipas KLSH ka favorizuar kompaninë të kërkojë prishje të kontratës pasi në fletën e votimit të printuar nuk duhet të kishte ndryshime të dizenjos.

Gjithashtu vetëm për projektin pilot të Tiranës për votimin me skanim të kartës së identitetit, që sipas KLSH nuk kishte elemente sigurie, u blenë 1 milionë e 330 mijë euro pajisje elektronike të cilat nëse kontrata me kompaninë spanjolle do të respektohej do t’i mbeteshin KQZ, por kryetarja me firmën e saj ia fali ato kompanisë. Denoncimi në Prokurori për kryetaren e KQZ është bërë më herët edhe nga PS, ndërkohë që organi i akuzës e mbylli si çështje. Por KLSH pretendon së këtë radhë elementet për të cilat KQZ akuzohet janë të tjera.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: