TIRANE – Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe TVSH solidarizohen me Kristi Mazen, fëmijën me një sëmundje të rrallë në mëlçi, dhe do të kontribuojë për shërimin e tij.

Kutia e solidarizimit me Kristi Mazen, është vendosur sot pranë Radio Televizionit Shqiptar, ku punonjës së tij, gazetarë, operatorë, montazhierë e pjesëtarë të administratës kanë kontribuuar me të holla për vogëlushin  e sëmurë. Të parët që dhanë shembullin e tyre ishin kolegët tanë, gazetaret e departamentit të informacionit. TVSH është e para media që solidarizohet me “News24” në këtë nismë, duke kontribuuar për të sëmurin.

TKOB fton artdashësit që këtë fundjavë të ndjekin “Coppelia&La Stravaganza”, jo vetëm për të parë një shfaqje të bukur baleti, por edhe për të dhënë një kontribut të vogël për kurimin e vogëlushit Kristi Maze. TKOB ka vendosur të dhurojë të ardhurat e siguruara nga dy shfaqjet e fundjavës, për shërimin e Kristit.

Ndërkaq shuma e mbledhur në llogarinë bankare të Kristit ka kaluar 140 mijë eurot, pas kontributit të një dite më parë të biznesit të madh që dhuroi 4.8 milionë lekë të reja, administratës tatimore me 950 mijë lekë të reja, dhe kontributin e bizneseve në Dibër, Korçë, Durrës dhe Fier. Për transplantin e Kristi Mazes, i cili ndodhet në spitalin e specializuar të Bergamos, nevojiten 150 mijë euro.

Më herët fushatës iu bashkua edhe aktori Gent Hazizi, i cili rreth 2.3 milionë lekë të ardhura nga shfaqja e tij në Teatrin Kombëtar i kaloi për llogari të Kristit. Ndërkaq qytetarët shqiptarë vijojnë të ndihmojnë me aq sa munden në kutinë e solidaritetit, që “News24” e ekspozon në pika të ndryshme të qytetit.

Kristi Maze tashmë ndodhet i shtruar në spitalin e Bergamos, në pritje të një ndërhyrjeje që do t’i shpëtonte jetën. “News24”, “Balkanweb” dhe “Gazeta Shqiptare” falenderojnë të gjithë kontribuesit, qofshin biznese, punonjës të administratës dhe qytetarë që po ndihmon vogëlushin të luftojë kundër vdekjes.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: