NGA ERJOLA JATA

TIRANE- Kompania “Gjoka Konstruksion” është fituesja e koncesionit për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Në njoftimin për shtyp, Ministria e Infrastrukturës njofton se nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur në sistem nga operatori ekonomik, shoqëria “Gjoka Konstruksion” rezultoi se ajo kishte paraqitur dokumentacionin teknik, financiar dhe ligjor në përputhje me kërkesat e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe komisioni vendosi ta kualifikojë ofertën për fazën e vlerësimit.

Ndërkohë që dy operatorët e tjerë në garë sipas Komisionit të Vlerësimit rezultonin, njëri me mungesë dokumentacioni, dhe tjetri pa ofertë financiare.

Shpallja e fituesit i hap rrugën autoriteteve të negociojnë kontratën me kompaninë, dhe menjëherë pas nënshkrimit të saj, të nisin punimet në terren për ndërtimin e aksit që lidh Tiranën me Dibrën.

Në prill të këtij viti qeveria shpërbleu me bonus pikësh kompaninë “Gjoka Konstruksion”. Vlera e projektit për Rrugën e Arbrit është llogaritur 33.6 miliardë lekë.

Kompania do ta ndërtojë rrugën me fondet e saj dhe paralelisht do të ketë detyrimin për ta mirëmbajtur atë derisa qeveria të shlyejë koston. Rruga e Arbrit ka një gjatësi prej 73.5 kilometër.

Nga këto 20.1 kilometër janë ndërtuar me paratë e buxhetit, ndërkohë që 15 kilometra të tjerë janë ndërtuar pjesërisht.

Volumi më i madh i punimeve ngelet i papërfunduar. Ndërtimi i këtij aksi bëhet sipas skemës 1 miliard euro, ku kompanitë do të investojnë vetë në vepra publike dhe do të paguhen nga buxheti i shtetit me këste.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: