TURQI- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, duke shprehur ngushëllimet për familjarët e të vrarëve dhe shërim të shpejtë për të plagosurit nga sulmi terrorist në Ankara, ka pohuar se shteti nuk do të heq dorë asnjëherë nga e drejta e vetëmbrojtjes kundër çdo lloji të terrorizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të gjithë forcat tona të sigurisë me ushtarë, policë dhe ruajtësit e fshatrave janë duke sakrifikuar jetën, janë duke ndërmarrë një luftë të vendosur kundër organizatave terroriste. Qytetarët tanë të mos shqetësohen sepse të gjitha institucionet e shtetit tonë në bashkëpunim me popullin do ta kryejnë me sukses këtë luftë kundër terrorizmit dhe ai do të gjunjëzohet”, u shpreh Erdoğan.

Ai tha se Turqia si rezultat i destabilitetit të përjetuar në rajon në vitet e fundit, ka qenë në objektivin e sulmeve terroriste.

“Organizatat terroriste dhe ato që i përdorin këto si mashë, si shkak i humbjeve të pësuara në luftën me forcat tona të sigurisë, i drejtohen rrugëve duke vendosur në objektiv qytetarët tanë të pafajshëm. Këto sulme të cilat synojnë të prishin unitetin dhe bashkimin e vendit tonë, nuk pakësojnë kurrë vendosmërinë tonë në luftën kundër terrorizmit, por e shtojnë akoma edhe më shumë vendosmërinë tonë”, ka shtuar ndër të tjera Erdoğan.

Presidenti i Turqisë ka theksuar se populli kundër këtyre sulmeve të pabesa lidhet akoma edhe më shumë me njëri-tjetrin.

“Populli ynë forcohet në mënyrë dinjitoze kundër terrorizmit, terroristëve dhe atyre që janë të përqendruar pas tyre. Sigurisht që Turqia me identitetin e lidhur me popullin do t’i kalojë këto ditë dhe do t’i lërë pas ato”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb