Pritjes i erdhi fundi. Shqipëria është me një këmbë në Euro 2024, teksa një pikë ndaj Moldavisë është si një “pasaportë”  për kalimin në Gjermani. 28 vite më parë kishim përballë të njëjtin rival, por jo në këto kushte. Gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë kuqezinjtë po zhvillohen shumë në aspektin sportiv. Në News 24 në Sport News, në emisionin special të ditës, të drejtuar nga Trevisa Tufa foli një nga ata që ka kontribuar shumë për Kombëtaren, Rudi Vata.

Vata, 28 vite më pas, Shqipëria përballet sërish me Moldavinë, por këtë herë luan për një kualifikim në Evropian. Çfarë kujton nga ajo ndeshje, si ishte të luajë në Kishinau?

Ishte fillimi i viteve të tranzicionit, ishim të varfër dhe kishim probleme me komunikimin. Merreshim vesh vetëm me fax-e. Kjo përvojë më ka rritur shumë, më ka bërë të kuptoj se si funskionon jeta. Sot s’jemi më të varfër, kemi shumë yje.

Si ishte grumbullimi, si ishte të luaje jashtë në atë kohë për Shqipërinë, me trego ndonjë detaj interesant nga ajo transfertë?

Kam shkuar në Skoci, kisha 3 vite që luaja atje. Kur vija në vendin tonë, e kuptoja ndryshimin. Ishte emocion dhe përgjegjësi kur të thërret ndjenja kombëtare. Ndryshimi mes Skocisë dihet, edhe ajo balta që kemi shijuar në Shqipëri, për ne ishte baltë e ëmbël. Ishte ndjenjë e vërtetë.

Keni shënuar një gol të bukur në atë sfidë, një gol trepikësh, si e kujtoni atë moment?

Unë e kujtoj si një ndeshje mjaft e balancuar. Kishte plot raste dhe ritëm. Mund të shkonte në të dyja krahët. Ne nga një goditje dënimi, rreth 25 m, kisha ardh nga një formë e mirë që po kaloja, më i specializuari ishte Bledar Kola. Ai tha gjuaje, pasi është për ty. Më tha që do shënosh. Të gjithë ishim të lumtur, kishim 40 vite që nuk fitonim në transfertë.

Kur kthen kokën pas dhe kujton atë Kombëtare, ka diçka të përbashkët me Shqipërinë sot, se gjëra të ndryshime pa pafund…

Sot kemi lojtarë nga të gjithë vendet. Kemi patur talente edhe atëherë, ishin mjaft të zotë. Ne na ka munguar organizimi dhe disiplina. Nuk kishim gjëra të vogla, por si kualitet ishim mirë. Kampionati shqiptar nuk prodhon më Sokol Kushtën.

Rudi, ajo ishte fitorja e parë Shqipërisë në transfertë, por sot kemi një tjetër status në Moldavi, shkojmë si favorit, si e sheh këtë sfidë?

Sot kemi ekip me besim. Një kombëtare me shumë besim te e ardhmja, kemi mundësi jo vetëm të kualifikohemi, por edhe të bëjmë mirë.

I mbyllim llogaritë e kualifikimit sot? A është ky ekip, ekipi që Sylvinho ka në kokë për në Evropian. Ku mund të përmirësohemi?

Trajneri ka krijuar grup me energji pozitive. Deri në qershor ka kohë, mund të ketë ndryshime. Kumbulla dhe Broja nuk kanë marrë pjesë, grupi do jetë më i fortë besoj. Lojtarët e ri do sjellin energji, pasi i vlon gjaku për ekipin kombëtar. Rivaliteti të bën mirë. Besoj fitojmë.

Parashikimi? Ndoshta 2-1 për Shqipërinë.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb