Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka komentuar konferencën e 8-të ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Europian, e mbajtur sot në Bruksel, në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit.

Sipas Bumçit, debati nëse është miratuar apo jo raporti IBAR nuk është thelbësor, pasi sipas tij, rëndësi ka përmbajtja dhe problematikat që evidentohen në raport.

“Kjo është pjesë e manipulimit që bëhet duke u marrë me faktin nëse është miratuar IBAR apo jo. Kur çështjet janë të vështira, BE nuk merr vendime të menjëhershme. Shqipëria ka plotësuar kushtet më të lehta, por ka ende detyra të rënda shtëpie”, u shpreh ai.

Bumçi e krahasoi raportin me një analizë mjekësore, duke deklaruar se sipas tij, IBAR tregon se Shqipëria ka probleme serioze në çështjet themelore që lidhen me demokracinë, zgjedhjet, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e shtetit ligjor.

“Te themelet nuk mund të ketë kompromis. Nëse nuk funksionojnë demokracia, institucionet dhe zgjedhjet e lira, vendi nuk bëhet pjesë e BE-së”, tha ai.

Ish-ministri u ndal veçanërisht te proceset zgjedhore në vend, duke theksuar se raporti kërkon zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e ardhshme dhe evidenton përdorimin e administratës shtetërore dhe burimeve publike gjatë fushatave elektorale.

Sipas Bumçit, raporti ngre shqetësime edhe për funksionimin e Parlamentit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, si dhe korrupsionin në nivele të ndryshme të qeverisjes.

Ai deklaroi se raporti përmend problematika që lidhen me prokurimet publike, pastrimin e parave, tatimet dhe doganat, duke e cilësuar korrupsionin si të përhapur në administratën qendrore dhe vendore.

“Nuk është anëtarësuar asnjë vend në BE me kushtet që ka sot Shqipëria”, përfundoi Bumçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb