Altin Lala e konsideron të favorshëm shortin e Shqipërisë, madje thotë se është gjynah që të mos kualifikohesh në një grup të tillë. “Nuk po them të na rrëmbejë euforia dhe të mendojmë se i kemi fituar ndeshjet pa luajtur, por është një grup ku mund t’ju marrësh pikë të gjithëve”, thotë ekskluzivisht për “Panorama Sport” ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë.

Altin e ndoqët shortin për “Euro 2024”?

 

Patjetër që po. Ndodhem në SHBA te një miku im dhe e kisha pak problem orarin, por natyrisht që nuk e humba shortin. Klinsman e kishte dorën mjaltë…(qesh).

 

Si ju duket?

 

Short i mirë. Nuk ka asgjë të lehtë për Shqipërinë, por mund të kishte shkuar më keq se kaq.

 

Pse mendoni se është short i mirë?

 

Sepse mund t’ju marrësh pikë të gjitha skuadrave që ke në grup. Nuk ke një si Anglia ku e di që në fillim se të duhet një mrekulli për ta ndalur… Me Poloninë ishim në grup edhe edicionin që shkoi. Kanë Levandovskin, ai është një nga më të mirët e të gjitha kohërave, por në Tiranë ne mund t’i kishim mposhtur. Çekia është e ngjashme me Poloninë në stil loje, por nuk kanë Levën ama.

 

Pra Shqipëria mund t’ia dalë sipas jush?

 

Po, unë mendoj që ka shanse shumë të mira t’ia dalë mbanë dhe të shkojë në Europian. Por hej, duhet që skuadra ta mbledhë mendjen mirë dhe të jenë të bashkuar edicionin e ardhshëm. Grupi në letër është i mirë, por skuadra jonë nuk mund të paraqitet si në Ligën e Kombeve.

 

Pse?

 

Ta kenë të qartë të gjithë, që nga trajneri dhe lojtarët, se nëse nuk japin gjithçka dhe nëse nuk veprojnë si grup i vetëm, nuk shkojnë larg, sado i favorshëm të jetë shorti.

 

 

 

A mund të ndikojë zhgënjimi në Ligën e Kombeve në Europian?

 

Nuk besoj. Nëse lojtarët janë profesionistë, ecuria në Ligën e Kombeve mund të shndërrohet në një leksion të mirë. E bukura në futboll është që ke gjithnjë mundësinë të ndryshosh diçka. Mendoj se skuadra jonë e ka aftësinë që të ndryshojë gjërat dhe ja ku erdhi shansi i madh.

 

Ka pasur kritika të forta kundrejt Edi Rejës, a duhet të vazhdojmë me këtë trajner?

 

Kjo pyetje është për Dukën, jo për mua. Në çdo skuadër futbolli trajneri është hallka më e dobët. Kur gjërat nuk ecin, ai e pëson i pari. Personalisht kam respekt për Rejën, sepse ka shumë përvojë. Por duhet parë si është situata aty brenda. Edhe rezultatet, nuk mendoj se është vetëm trajneri përgjegjës.

 

Çfarë duhet të ndryshojë te Kombëtarja shqiptare në të ardhmen?

 

Duhet të jenë pak më shumë grup. Duhet që dikush edhe t’u flasë vazhdimisht për realitetin shqiptar dhe për ndjeshmërinë e jashtëzakonshme që ka gjithë populli shqiptar kundrejt Kombëtares. Unë e kuptoj që brezat ndryshojnë dhe një pjesë e madhe e tyre kanë lindur ose janë formuar jashtë, por ne jemi ballkanas… Ne i përjetojmë gjërat pak më me “zjarr” dhe kur nuk bashkohet “zjarri” i skuadrës me atë të tifozëve, zor se bëjmë gjëra të mëdha.

 

A e ka potencialin Shqipëria që të shkojë në Europian?

 

Po, e them me bindje që po. Kemi lojtarë shumë të mirë, por nëse sakrifikojnë më shumë, nëse fillojnë të kuptojnë se Kombëtarja është nder dhe detyrim, nuk është thjesht për të përmirësuar karrierën, jam i bindur që ia dalin. Ne të brezit tim dikur nuk kishim ndoshta cilësitë e këtyre sot dhe mbase nuk kemi bërë gjëra të mëdha, por ishim të bashkuar.

 

Qëndronim 10 vetë në një tavolinë dhe shpeshherë e kritikonim njëri-tjetrin edhe hapur fare, por pa qejfmbetje. Nuk e di a ndodh më kjo tani. Por duhet të ndodhë. Sepse Kombëtarja është diçka speciale. Është mëkat të mos kualifikohen me kaq shumë lojtarë të mirë dhe me një stadium të mrekullueshëm.

 

 

 

Në ç’kuptim?

 

Shikoni, unë vetëm një herë në jetën time jam dridhur nga emocionet pothuajse gjithë ndeshjen. Madje në fundin e saj nuk ndieja asgjë në trupin tim. Ka qenë ndeshja me Greqinë në vitin 2004, kur ne i mundim 2-1 kampionët e freskët të Europës. U emocionova shumë dhe e kam përjetuar pa masë atë ndeshje, sepse gjithë populli shqiptar ishte elektrizuar.

 

Presionin, ndjeshmërinë dhe gjithë atë pritshmëri të madhe na e përcolli publiku me doza të larta, saqë unë vërtet u mpiva. Dua të them që Kombëtarja nuk është vetëm të qenit “korrekt” taktikisht dhe të bësh pjesën tënde… Kombëtarja është që të japësh gjithçka deri në frymën e fundit. Nëse ky brez lojtarësh do ta bëjë këtë në eliminatoret e ardhshme, me kaq shumë potencial që ka, atëherë jam i bindur që do t’ia dalin.

 

Më mirë një grup me 5, apo me 6 skuadra?

 

Me këta rivalë që kemi, është më mirë me pesë. Fokusohesh, nuk fal me të voglat dhe përpiqu të marrësh sa më shumë nga Polonia dhe Çekia.

 

Është avantazh apo disavantazh të përballesh me Poloninë sërish?

 

Nuk shoh ndonjë problem. Ata na njohin pak më mirë, por edhe ne tani i njohim pak më shumë…

 

Cila është këshilla juaj si ish-kapiten duke parë emrat e skuadrave në grup?

 

Kujdes me dy ekipet poshtë nesh. Më ka ndodhur me Kombëtaren dikur, por edhe te Hanoveri, ku për shkak të një vetëbesimi të tepruar, apo emrit jo edhe aq “joshës” të rivalit, ne nuk fitonim me ekipe ku ishim favoritë. Kjo është fatale, sepse të prish humorin edhe për ndeshjet e radhës. Kujdes me skuadrat e vogla, Shqipëria nuk duhet t’i falë.PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb