TIRANE – Shqipëria ka marrë një hua prej 32.1 milionë eurosh nga Banka Botërore vetëm për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë.

Marrëveshja është nënshkruar sot nga Ministri i Financave, z. Shkëlqim Cani me znj.Tahseen Sayed, Drejtore e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, nga ana e tij tha: “Sot është një ditë e rëndësishme për të ardhmen e afërt të sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, por edhe për jetën e vetë shqiptarëve. Pavarësisht se më e vështira fillon nga nesër dhe, në qoftë se znj. Sayed tha që “pudingu i mirë duket pasi e shijon atë”, si Ministër Shëndetësie do të thoja se duket i mirë edhe të paktën pas 4 orësh se mund të japë ndonjë efekt. Projektet kanë ciklin e tyre, por ndoshta në shëndetësi duhet edhe një gjeneratë që të vlerësohen në mënyrë të plotë se sa efektive dhe efikase kanë qenë.”

Kredia që u miratojmë sot është pjesë e një projekti 32 (32.1) milion euro financim për Qeverinë Shqiptare nga Banka Botërore, të cilës i bashkohen edhe 4 milion euro që është angazhim i Qeverisë me kontributin e saj; pra, bëhet fjalë për një projekt 36 milion euro, i cili në fakt i bashkohet kolanës së investimeve të rëndësishme që kanë filluar të zbatohen në shëndetësi,”- theksoi Beqaj.

Projekti i Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor kontribuon në forcimin e administrimit dhe qeverisjes në spitalet publike; përmirësimin e mënyrës së financimit shëndetësor; zbatimin e sistemeve të informacionit për të përmirësuar efikasitetin dhe cilësinë e kujdesit shëndetësor në Shqipëri etj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb