Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Elbasani se Shqipëria ndodhet përballë problemeve të rënda sociale dhe ekonomike, duke e krahasuar vendin me “një të sëmurë në sallën e urgjencës” që, sipas tij, kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Gjatë fjalës së tij në kuadër të “Foltores së Ripërtëritjes” së PD-së, Berisha akuzoi qeveritarët për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke thënë se pasuritë e vendit janë shndërruar, sipas tij, në përfitime për pushtetarët, ndërsa qytetarët përballen me probleme në shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera.

“Janë shndërruar në parajsë për qeveritarë të pangopur dhe hajdutë, të cilët në mënyrë identike me ata që shtypën shqiptarët 46 vite, urrejnë qytetarin”, tha Berisha.

Në vijim, ai e lidhi situatën e vendit me procesin e “Ripërtëritjes” së Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si të domosdoshëm për ndryshimin politik që kërkon opozita.

“Sirenat e nevojës për rithemelimit të Shqipërisë bien në të katër anët e vendit. Shqipëria realisht ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës. Ngjet me një të sëmurë në sallën e urgjencës i cili kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Ndaj dhe ripërtëritja e Partisë Demokratike është jetike dhe përcaktuese për ripërtëritjen e Shqipërisë”, u shpreh ai.

Berisha vlerësoi gjithashtu qëndrueshmërinë e mbështetësve të opozitës, duke deklaruar se ata kanë përballuar, sipas tij, presione, shantazhe, dhunë dhe burgosje.

“Pa ju, pa qëndresën tuaj, pa guximin tuaj, ky regjim nuk ishte i shpërbërë në të sotmen”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Berisha e cilësoi fitoren e opozitës si një “domosdoshmëri” dhe u bëri thirrje demokratëve që të vijojnë përpjekjet drejt saj.

“Demokratët, populli opozitar pret fitoren. Shqipëria pret me padurim fitoren e opozitës. Dhe kjo është përgjegjësi e madhe ndaj vendit. Ky është motivi i jashtëzakonshëm për ne”, përfundoi Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb