Pas kualifikimit historik në “Euro 2016”, Kombëtarja Shqiptare nis sot një tjetër udhëtim, për të provuar sërish të shkruajë një tjetër kapitull të artë në futbollin shqiptar. Kuqezinjtë e De Biasit startojnë fushatën eliminatore në Botërorin “Rusi 2018”, me sfidën ndaj Maqedonisë, që do të zhvillohet në “Loro Boriçi”. Kombëtarja kthehet në impiantin e ri të Shkodrës, totalisht i rinovuar, pak ditë pasi mori barazimin 0-0 në miqësoren me Marokun. Sontë në mbrëmje në orën 20:45 sytë e miliona shqiptarëve do të jenë drejtuar nga Shkodra, aty ku Kuqezinjtë do të tentojnë ta nisin sa më mbarë këtë aventurë të re, më të rritur dhe më me shumë eksperiencë pas Kampionatit Europian të Francës.

Ndryshon gjithçka, De Biazi i kthehet 4-5-1
Pak ditë më parë po bënte prova për të luajtur me 2 sulmues, por Xhani De Biazi nuk ndryshon kurrë. I qëndron stoik idesë së tij për të mos pësuar gol dhe këtë gjë ka marrë parasysh përpara se të ideonte formacionin që do të zbresë në fushën e lojës mbrëmjen e sotme.

Me të njëjtën skemë që arriti të kualifikonte Shqipërinë në Kampionatin Europian, italiani ka vendosur të luajë edhe ndaj Maqedonisë. Dilemat më të mëdha i ka pasur në repartin e mesfushës dhe sulmit, ku futbollistët kuqezinj po kalojnë një formë shumë të mirë, citon PanoramaSport.

Stërvitja

Ditën e djeshme, tekniku ka kryer seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Loro Boriçi”, por është kujdesur në mënyrë perfekte që askush të mos marrë indikacione për formacionin dhe mënyrën se si do të luajë Kombëtarja shqiptare. Gazetarët kanë qëndruar vetëm 10 minuta, kohë e cila ka shërbyer për të bërë nxehjen, ndërsa më vonë janë detyruar të largohen nga stadiumi. Aty De Biazi ka përpiluar formacionin me të cilin do të luajë në sfidën e parë eliminatore të Kampionatit Botëror “Rusi 2018”.

Risitë

Nuk ka asnjë surprizë në repartin e mbrojtjes. Etrit Berisha ndodhet në portë, ndërsa përpara tij rreshtohen Hysaj, Gjimshiti, Mavraj dhe Agolli. Nuk ka pasur shumë dilema për këtë repart, ndërsa pikëpyetjet e mëdha tekniku i ka pasur në repartin e mesfushës. Në fund ka vendosur të luajë me modulin 4-1-4-1, që në momente të caktuara shndërrohet në 4-5-1 dhe 4-4-2, kur skuadra vendos të sulmojë.

Kukeli do të jetë regjisor i lojës, ndërsa do të mbulohet nga “muskulozët” Taulant Xhaka dhe Amir Abrashi. Qartazi e kuptueshme që De Biazi pëlqen më shumë forcën sesa teknikën e Bashës, Kaçes apo Memushajt, por zgjedhjet e tij nuk mund të gjykohen për aq kohë sa në këto vite ka pasur rezultate pozitive.

Nga krahët e mesfushës ka surpriza, sepse Shkëlzen Gashi rikthehet të luajë titullar në të djathtë dhe Hyka në të majtë. Sfida me Marokun i ka mjaftuar teknikut italian për të kuptuar se shtatshkurtri është i duhuri për t’i dhënë impuls dhe shpejtësi lojës sulmuese. Ky modul i jep alternativa të shumta teknikut italian, pasi Xhaka shpeshherë mund të spostohet në të djathtë të mesfushës, duke i dhënë më shumë hapësira Gashit, i cili duhet të ndihmojë edhe lojtarin e sulmit.

Vështirësia më e madhe e De Biazit qëndron në repartin e sulmit, ku 3 futbollistë (Balaj-Cikalleshi-Sadiku) luftojnë për një vend. Të tre janë duke kaluar një moment fantastik, por Armando Sadiku është ai që pritet të startojë ndeshjen nga minuta e parë. Gjatë kësaj kohe është provuar edhe Cikalleshi, por në fund vendin e ka fituar heroi i Europianit.



(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: