“21 janari dhe drejtësia”. Kjo është tema për të cilën ka zgjedhur të diskutojë kryeministri Edi Rama me qytetarët në rrjete sociale. I pyetur nga një qytetar se përse një president i shkarkuar nga Kuvendi dekreton zgjedhjet, Rama tha:

“Meta është zgjidhur president me votat e tij, jo me tonat. Ne nuk i kishim votat e në mes të një keqeje si zgjedhja e Ilir Metës dhe e keqes tjetër për vendosjen e shtetit në kaos, zgjodhëm të keqen më të vogël. Ne e kemi shkarkuar Ilir Metën. Ai është i shkarkuar nga Kuvendi, por pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk jemi as në Monarki, diktaturë, pavarësisht se një grup njerëzish të frymëzuar nga instinktet e urrejtjes flasin për regjim. Nëse do të kishte regjim askush nuk do të hapte gojën e të fliste për të. Ne fituam zgjedhjet. E dyta u angazhuam për Reformën në Drejtësi, e bëmë atë, nisëm procesin e pastrimit të llumit me pastrimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Nisi ngritja e institucioneve të reja. SPAK e Gjykata Speciale janë dy institucione të reja që po funksionojnë. Nëse këto duken pak, më besoni janë shumë për harkun kohor për të cilën kanë ndodhur. Janë shumë. Drejtësia e re ka nisur të funksionojë, por është një foshnje që ka nisur të hedhë hapat e para. Forcimi i muskujve të kësaj drejtësie të re do kohë, sepse nëse gjërat do të ishin kaq të thjeshta do i bënin të tjerët më para, nuk do i vinte radha një piktori që të bëhej kryeministër”, tha Rama.


Ai tha më tej se Reforma në Drejtësi është duke dhënë rezultatet e para, por për të parë gjëra më të mëdha duhet ende kohë.

“Ne nuk arrestojmë. Shumica qeverisëse nuk bën, por është e ndaluar. Arrestimet i bën prokuroria në bashkëpunim me policinë, me vendim gjykate. Populli kupton shumë më tepër se sa çdo individ që flet në emër të tij. E kam të qartë, se çfarë ka ndodhur, ndodh e do të ndodhë. Kështu që mbi gurin e themelit për të gjithë punën që po bëhet për pastrimin e llumit, për punën e bërë nga institucionet e reja, si SPAK-u, po ngrihet katedralja mbi ish kënetën atë të 100 viteve ku nuk pati kurrë drejtësi. Milionat e frikërat nuk na çojnë asgjëkund. Jam i vendosur, sepse nëse s’do të isha nuk do i futesha Reformës në Drejtësi. Jam i vendosur sepse nuk do të dilja aty e të vendosja lule aty ku janë shenjat e të rënëve më 21 janar. Për këtë arsye, në një kuptim të caktuar jemi jo vetëm të barabartë, por edhe të pa fuqishëm. Ende sistemi është në pastrim i sipër. Nuk ka një forcë që mund ta bëjë këtë sa hap e mbyll sytë. Lere se ça thonë. Nuk funksionon kështu”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb