Thellohen përmasat e skandalit të Kavajës. Institucionet shtetërore fshehën abuzimin seksual e një të miture nga një grup djemsh përgjatë katër muajve.

‘BalkanWeb’ disponon të plotë vendimin e gjykatës së Durrësit, nga ku do të veçojë vetëm shkeljet e kryera nga institucionet, që e bëjnë edhe më të rëndë situatën, për shkak se nuk morën asnjë masë për mbrojtjen e të miturës. Në dokumentin zyrtar thuhet se shkolla ra në dijeni të skandalit, e megjithatë mësuesja kujdestare, drejtoresha e institucionit dhe psikologia, u mjafuan vetëm me informimin  e nënës së vajzës dhe takimin me të, por nuk bënë denoncim në polici,  sikurse kanë detyrimin ligjor.

Në vendim thuhet se mësuesja kujdestare u vu në dijeni të skandalit nga pastruesja e shkollës, pasi kjo e fundit kishte gjetur një mesazh në telefonin e të birit, të cilit njëri nga shokët e shkollës, i kërkonte që t’i gjente një vend që të kryente marrëdhënie me të miturën. Pastruesja mësoi se vajza shantazhohej me një video intime. Me t’u informuar, mësuesja e thirri nxënësen e mitur, duke i kërkuar t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës. Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj. Në këto kushte,  mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithcka kishte ndodhur.  Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në polici.

Vendimi 1

Faktet në vijim, janë edhe më shokuese, për faktin se dy ditë më vonë, vajzën e telefonojnë nga shkolla dhe ajo bashkë me nënën shkon në institucion, ku takojnë mësuesen, psikologen, drejtoreshën e shkollës dhe drejtoreshën e arsimit. Vajza iu rrëfen atyre për të dytën herë tmerrin që kishte përjetuar dhe se kishte tentuar të kryente edhe vetëvrasje.

Zëri i të miturës ra në vesh të shurdhët, pasi edhe pse vetë drejtoresha e arsimit,  ra në dijeni të abuzimit të fëmijës, në shkelje të ligjit e kaloi ngjarjen në heshtje, duke mos informuar policinë për ngjarjen.  Ngjarja e cila zhvillohej prej 5 muajsh dhe për të cilën fliste gjithë qyteti, çuditërisht nuk ishte dëgjuar vetëm nga specialistët e policisë në zonë.

Më 29 janar, kur babai i vajzës, u kthye nga Italia vendosi të bënte denoncimin, mbi bazën e të cilit djemtë abuzues u arrestuan. Një tjetër fakt tronditës që bie në sy në dosjen hetimore, është mendimi kriminal i djemve të akuzuar.

Në dosje thuhet se djemtë po thurnin plane për ta shfrytëzuar vajzën dhe me lekët që do të fitonte ajo, i dashuri i saj do të blinte pajisje lojërash në internet. Ajo e ka pyetur djalin, nëse po ndodhte një gjë e tillë dhe ai i është përgjigjur se “sapo të blinin pajisjet do ta mbyllnin si muhabet”.

Në gjithë këtë histori tronditëse, të bën përshtypje fakti se vetëm njëri nga djemtë, shoku i bankës së vajzës, jo vetëm nuk ka abuzuar me të miturën, por i ka kërkuar asaj të fliste me prindërit e të denonconte krimin.

Aktualisht për abuzimin seksual të nxënëses së shkollës Rilindja në Kavajë, ndodhen nën arrest shtatë të mitur, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb