TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar sot vendimin për “Eco Tirana”, kompania që do të bëjë pastrimin e qytetit të Tiranës, së cilës i jepet në përdorim pa kundërshpërblim një sipërfaqe toke prej rreth 22 mijë metra katror, Ish-Parku i Autobusëve në rrugën “Don Bosko” me qëllim ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin e funksioneve të shoqërisë “Eco Tirana sha”, shoqërisë së krijuar në maj nga Bashkia për menaxhimin e mbeturinave dhe ku Bashkia ka 51% të aksioneve. Afati i përdorimit do të jetë 25 vjet.

Pikërisht ky vendim ka sjellë debate në këshill por edhe jashtë tij. Kjo pasi siç pretendojnë këshilltarët e djathtë, ata nuk janë lejuar të flasin.

Kreu i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli ka thënë se prapa këtij vendimi qendron mafia, pasi ajo sipërfaqe do të përdoret për të depozituar mbetje.

“E drejta e fjalës të na jepet. Me dhunën e kartonave për interesa mafioze na mbyllin mikrofonat dhe mbyllin mbledhjen. Eshtë i paligjshëm Eko Tirana. Aty do të ketë depozitim mbetjesh. Aktiviteti është i mafies. Mafia po vendos diktatin. 22 mijë metra2 në qendër të Tiranës për plehrat. Të bëhet qendër multifunksionale. Duhet t’i jepet mafies. E mbyllen me dhunë. Tentuan të lincojnë këshilltarët”,- tha ai.

“Për këto diskutime duhej të kishim të drejtën legjitime që të gjithë shqiptarët e kanë fituar me gjak në vitin’ 90, të drejtën e fjalës. Kjo e drejtë fjale duhet të jepet brenda sallës së Këshillit Bashkiak ku ne kemi bërë betimin se ne do të mbrojmë interesat e publikut. Për fat të keq, nuk është hera e parë që kjo mazhorancë, pa dallim, me dhunën e kartonëve, sa herë vjen çështja për interesat mafioze, fillojnë dhe mbyllin mikrofonin dhe ndalojnë mbledhjen”, tha Olli.

Sipas tij, çështja e “Eco Tirana” është një aktivitet totalisht i paligjshëm që do të ketë impakt për rreth 90 mijë banorët e njësisë 9.

“U djeg shumë diskutimi i çështjes së “Eco Tirana”, jo thjesht dhe vetëm se është një aktivitet totalisht i paligjshëm, anti-ambientalist, në zemër të Tiranës e cila do të ketë impakt për rreth 90 mijë banorët e njësisë administrative n.9, pasi do të ketë depozitim mbetjesh, lëre çfarë thuhet zyra. Ajo që ata donin të fshihnin me çdo kush ishte aktiviteti i kësaj kompanie, e cila i ka paraprirë në kohë ligjit famëkeq të importimit të mbetjeve. Mafia po vendos diktatin. Popullit i është hequr e drejta e vendimmarrjes. Kjo u duk qartë edhe në parlament për mosaprovimin e referendumit”, u shpreh Olli.

Ai tha më tej se për këtë aktivitet mungon transparenca dhe se kompaninë ku vdiq 17-vjeçari e kanë sjellë me një emër tjetër.

“Fatkeqësia është se të gjithë bëjnë apel për një qytet më të pastër por të mos harrojmë se ishte vetë kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili jo më larg se katër muaj më parë, bëri apelin për t’u punësuar tek firma 3R. Apeloi për të shkuar për të punuar se të gjithë aty do të ishin të garantuar dhe të siguruar.  Dhe çfarë ndodhi?! Një 17-vjeçar humbi jetën në mënyrë tragjike i shfrytëzuar çmendurisht nga mafia e përpunimit të plehrave. Sot na sjellin një emër të ri dhe këtë e fshehin nën petke memorandumesh, por nëse janë kaq të qetë, përse refuzojnë të bëjnë transparencë? Nuk është vetëm paligjshmëria që në themel në krijimin e kësaj kompanie, por janë 22 mijë m katrorë në qendër të Tiranës”, u shpreh Olli.

Kreu i këshilltarëve të djathtë akuzoi kreun e Bashkisë se mashtron dhe se vendi ku do të përpunohen mbetjet ishte planifikuar për qendër multifunksionale.

“Është ky kryetar bashkie që mashtron duke thënë se unë do të ndërtoj shkolla dhe në atë vend mund të ndërtohej më shumë se një shkollë. Është pikërisht ai vend mu në zemër të njësisë administrative nr.9 që mund të ishte bërë një qendër multifunskionale, që ishte vijimi i asaj që kishte iniciuar z. Basha. Ju e dini që atje ishte programuar një qendër multifunksionale për fëmijët, për parashkollorët, për shkollat e mesme, e me radhë. Por jo. Duhet t’i jepet mafies në përdorim. Dhe për fat të keq, që ta bëjnë këtë sa më lehtë dhe në mungesë të plotë transparence zgjodhën këtë mënyrë për ta mbyllur me dhunë”, u shpreh Olli.

Edhe këshilltari Kreshnik Çollaku deklaroi se për këtë çështje mungon transparenca dhe se është e pamundur për të marrë informacion nga bashkia.

“Unë jam një i zgjedhur i këtij qyteti, si një përfaqësues i një pjese të saj në Këshillin Bashkiak, unë dua t’i them çdo qytetari të Tiranës se e kam të pamundur të zhvilloj atë funksion, atë veprimtari për të cilën unë jam votuar në këtë këshill. Ne sot jemi para një akti që sanksionon një veprimtari të qartë dhe të pastër mafioze. Akte të cilat kalojnë pa transparencë, akte të cilat kalojnë në dhunim të çdo ligji dhe më e rënda dhe këtu fillon mosfunksionimi ynë si Këshill, unë personalisht ndjehem i paaftë ta kryej këtë. Ndaj po vlerësoj seriozisht dhe do t’ua kërkoj kolegëve të mi, në mbledhjen që do të zhvillojmë, të dorëzojmë mandatet e Këshillit Bashkiak. Ne nuk mund të përfaqësojmë dot qytetarët sepse këtu ka një vullnet mafioz i cili bllokon fjalën, transparencën, sqarimet në çdo element. Këtu brenda nuk mbrohen më interesat e qytetarëve”, u shpreh Çollaku.

Këshilltarja e djathtë, Suzani Guxholli ka deklaruar për News 24 jashtë mbledhjes se: “Kjo është arrogancë, Eco Tirana merr 22 mijë metra katrore nga pasuria jonë pa paguar asgjë. U jepet gjysma e tokës italianëve”.

Në relacionin shpjegues thuhet:
“Shërbimi i pastrimit të qytetit të Tiranës përbën një nga elementët më të rëndësishëm në detyrimet që Bashkia e Tiranës ka ndaj qytetarëve të saj dhe qytetit. Nisur nga kërkesat në rritje konstatohet se shërbimi i pastrimit të qytetit ka nevojë të ristrukturohet në funksion të përmirësimit të treguesve higjeno sanitar dhe të përmirësimit të impaktit që ai ka në mjedisin e qytetit. Bazuar në situatën e re të ridimensionimit të funksioneve dhe prioriteteve të Bashkisë Tiranë u konsiderua e nevojshme pjesmarrja e Bashkisë Tiranë në shoqërinë Eco Tirana sha, shoqëri kjo e cila ndër të tjera ka në objekt të saj edhe mbledhjen dhe transportin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë grumbullimin e diferencuar të tyre dhe pastrimin e hapësirave publike.

Parku i Transportit Tiranë është aktualisht në një gjendje të amortizuar dhe kalimi i tij në përdorim të Shoqërisë Eco Tirana sha do t’i jepte mundësi për mirëmbajtjen si dhe ridimensionimin dhe shfrytëzimin maksimal të saj në funksion të së mirës së përgjithshme të qytetit të Tiranës.

Duke qenë se për shkak të natyrës së veprimtarisë së Eco Tirana si dhe duke marrë shkas nevojën emergjente për përmirësimin e mënyrës së ushtrimit të funksionit të pastrimit të qytetit, propozohet t’i kalohet shoqërisë Eco Tirana me të drejtë investimi dhe ri-investimi për një afat 25 vjeçar. Duke qenë se kjo pasuri ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme dhe duke qenë se është në pronësi të Bashkisë Tiranë, e cila është aksionere në këtë shoqëri, zhvillimi i saj konsiderohet të jetë më i mirë dhe më efikas për përdorimin e shoqërisë Eco Tirana.

Dhënia në përdorim e pasurisë me emërtimin Parku i Transportit Tiranë konsiderohet se do të ndikojë në mirëmbajtjen e pasurisë së sipërpërmendur; vjen si rrjedhjë e nevojës së Bashkisë së Tiranës dhe e gjithë qytetit; si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mundësimin e ushtrimit të funksioneve të saj në fushën e pastrimit të qytetit dhe në një ‘start up’ sa më efikas dhe të shpejtë të shoqërisë Eco Tirana, në të cilën Bashkia Tiranë është aksioneve me 51%”, thuhet në relacionin e Bashkisë.

Përveç funksioneve të mësipërme të përmendura në relacion, Eco Tirana, sipas dokumentit të saj themelues, depozituar në Qendrën Kombëtare të Binzesit ka si funksione edhe: ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorist.

Në relacion nuk sqarohet nëse kompania, -e cila ndër të tjera ka në objekt të saj edhe mbledhjen dhe transportin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë grumbullimin e diferencuar të tyre, – do t’i ushtrojë këto funksione në hapësirën prej rreth 22 mijë metra katror që po merr në përdorim nga Bashkia Tiranë, apo nëse do të mund të ndërtojë aty ndonjë impiant riciklimi.

Ky vendim i Bashkisë Tiranë vjen në kulmin e debatit që ka ngjallur vendimi i fundit i qeverisë për rilejimin e importit të plehrave, që ka hasur në kundërshtimin e ambientalistëve dhe shoqërisë civile.

Cila është Eco Tirana dhe lidhja me Bashkinë e Veronës
Në datën 22 qershor 2016, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), u regjistrua kompania publike “Eco Tirana”, e cila përbëhet nga një kapital aksioner i përbashkët mes Bashkisë së Veronës dhe asaj të Tiranës. 49% të këtyre aksioneve janë në pronësi të Holding AGSM Albania, 51% e ka në pronësi bashkia e kryeqytetit. Në bordin e kompanisë po ashtu ka anëtarë të cilët janë marrë nga kompania publike që pastron qytetin e Veronës. Emra si Giampaolo Tessari, Andrea Miglioranzi, Diego Testi, Fabio Venturi, Maurizio Alfeo figurojnë në dokumentet e regjistrimit të firmës si administratorë apo anëtarë të bordit mbikëqyrës, të cilët pasohen nga emra të njohur në menaxhimin e Bashkisë së Tiranës, duke nisur me Taulant Tushën, Dorjan Shehun, Jonida Halilin dhe Arbjan Maznikun. Afati për të mbajtur këto poste në kompaninë joint-venture është 3 vjet për secilin dhe qëllimi i krijimit të saj është i shprehur qartë në dokumentet që dy bashkitë kanë depozituar në QKB. “Menaxhimi i shërbimeve mjedisore, duke përfshirë por pa u kufizuar në: mbledhjen, transportin, ndërmjetësimin dhe tregtimin e mbetjeve dhe të materialeve që rrjedhin prej tyre, duke përfshirë edhe grumbullimin e diferencuar të tyre, si dhe pastrimin e hapësirave publike, ndërtimin dhe manaxhimin, edhe për llogari të palëve të treta, të impianteve për rikuperimin, riciklimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, rehabilitimin e zonave nga substancat ndotëse, veprimtari të riparimit të automjeteve, elektroauto, llamarinist, gomist, xhenerik dhe motorrist”, thuhet në përshkrimin e objektit të aktivitetit të “Eco Tirana”.

Por, megjithatë, edhe pse në thelb të saj kompania është publike, 49% e aksioneve janë në pronësi të “Holding AGSM Albania” (kjo e fundit është në pronësi 75% nga AGSM Verona dhe 25% nga Amia Verona), fakt që nuk përjashton marrjen sërish të operatorëve privatë në menaxhimin e saj.

Në 18 muajt e parë të saj, ose në harkun kohor të një viti e gjysmë, ndërmarrja “Eco Tirana” do të menaxhojë një fond prej 2.5 milionë eurosh, ku 10% e këtij fondi do të shtohet për të mundësuar mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. Zona ku do të punohet fillimisht nga kjo kompani njihet si zona e kuqe, që është pjesa e qendrës dhe Tiranës së Re. “Monitor” ka siguruar planin e biznesit të saj. “Në përfundim të kësaj periudhe, menaxhimi i shërbimeve dhe mbledhja e diferencuar do të zgjerohen automatikisht deri në përfshirjen e të gjithë territorit të Bashkisë së Tiranës, ku përfshihet territori i bashkisë përpara reformës territoriale. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet në 50% të territorit që mbetet dhe nga 1 qershori 2018 do të mbulojë të gjithë territorin si më sipër”, – thuhet në planin e biznesit të “Eco Tirana”,- sqaron Monitor.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb