NGA AURORA KOROMANI

TIRANE- Efektivët që kanë të drejtë për të përfituar pension pleqërie, me ligjin e ri të Policisë së Shtetit marrin më shumë lekë. Kjo përcaktohet qartë në draftin e ri të hartuar nga grupet e punës së Ministrisë së Brendshme, ku thuhet se masa e pensionit suplementar të pleqërisë përfshin pensionin e përllogaritur sipas ligjit për sigurimet shoqërore dhe një shtesë në masën 2% të pagës mujore të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim, për çdo vit shërbimi, por shtesa nuk duhet të jetë më e lartë se pensioni i pleqërisë.

Ndërsa sipas ligjit të vjetër të llogaritjes së pensioneve të uniformave blu, masa e këtij pensioni llogaritet me 1 për qind e pagesë mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. Në draftin e ri pëson një rritje me 1 për qind edhe masa e pensionit suplementar të invaliditetit. Kështu, nëse me ligjin e vjetër pensioni suplementar i invaliditetit llogaritej 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, me draftin e ri ky pension llogaritet në masën 2 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mujore, por jo më shumë se 100 për qind të pensionit të invaliditetit.

Ndërkohë, në draftin e ri të përgatitur nga ministria e Brendshme dhe që pritet të miratohet në qeveri, thuhet se kur invaliditeti është shkaktuar për shkak të detyrës, masa e pensionit suplementar është deri në kompensim njëqind për qind të pagës mujore, pavarësisht nga vjetërsia në shërbim, ndërsa me ligjin e vjetër, në të njëjtin rast masa e pensionit suplementar të invaliditetit është 20 për qind e pagës referuese. Në draft trajtohen edhe pensionet suplementare për familjarët e personave që humbasin jetën për shkak të detyrës, të cilët sipas përllogaritjes së re përfitojnë më shumë.

“Kur punonjësi i policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë pension suplementar në masën 100 për qind të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga paga mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit”, thuhet në draftin e ri, ndërsa sipas ligjit të vjetër, kjo kategori përfiton edhe pension suplementar familjar sa diferenca ndërmjet pagës referuese të të ndjerit/ së ndjerës, në çastin e humbjes së jetës dhe pensionit familjar.

Përfitues sipas projektligjit të ri janë edhe personat joefektivë të Policisë së Shtetit, të cilët për shkak të kryerjes së detyrave në funksion të Policisë së Shtetit humbin jetën dhe vlerësohen si persona të thirrur (aktivë) në shërbimet e Policisë së Shtetit dhe trajtohen si pjesëtarët efektivë të saj. Edhe në këtë rast, sipas draftit të ri, familjarët e tyre përfitojnë pension familjar suplementar në vlerën 100 për qind të pagës bazë të gradës inspektor, pavarësisht nga periudha e sigurimit, gjë që me ligjin e vjetër nuk parashikohet.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb