TIRANË

Deputeti i PD Tritan Shehu e cilëson të paaftë qeverinë për të menaxhuar situatën e COVID në vend.

Në një postim në “Facebook” Shehu shkruan se qeveria ka arritur në ato konkluzione të nxjerra dhe të kërkuara më herë nga PD.

Ai shprehet se ndërsa Ministria e Shëndetësisë po negocion për 500 mijë doza Pfizer deri në fund të vitit, është shumë e vonuar dhe se në tetor pritet përkeqësim i situatës.

POSTIMI I PLOTË
Covid: Kjo Qeveri e paaftë, “arrin” në mendimin tonë, por gjithmonë duke “çaluar” e me shumë vonesë, mbas humbjesh tragjike jetësh.
Sot Ministria e Shëndetësisë deklaron se po negocion për ardhjen e 500 mijë dozave Pfizer, mundësisht deri në fund të vitit.
Ok, shumë mirë një gjë e tillë, por shumë vonë në kohë, shumë pak në sasi, mbas humbjeve të mëdha jetësh deri më sot dhe një përkeqësimi që pritet prej muajit tetor.
Për kujtesë kemi që nga pranvera e këtij viti që kërkojmë:
– Importimin në Shqipëri të vetëm vaksinave të efektshme, të miratuara nga EMA, siç është dhe Pfizer.
Ndërsa Qeveria vetëm belbëzoi dhe mbushi vendin me ato kineze të pa certifikuara, gjë që ka krijuar një situatë kaotike e të rrezikshme epidemiologjike.
– Kemi deklaruar se Shqipëria ka nevoje minimalisht për mbi 5,5 M doza vaksinash të certifikuara për të arritur imunizimin sigurues.
Fatkeqësisht Shqipëria sot është në nivelet më të ulëta në botë për numrin e të vaksinuarve me rreth 26% të popullsisë, kur mesatarja botërore ka kaluar 35%, dhe me shumicën e të vaksinuarve tek ne me ato të pa efektshmet.
Kjo është gjendja e rëndë aktuale nga kjo Qeveri, që as dëgjon, as shikon e as flet.
Dhe kur i vijnë ndopak këto “shqisa” i vijnë shumë vonë e vetëm pjesërisht,
gjë që vazhdon sepse:
– Ndërsa kemi kërkuar rivaksinimin me vaksina të certifikuara të të gjithë atyre që kanë marrë ato Kinezet apo të tjera të ngjashme, Qeveria vetëm hesht.
– Ndërsa kemi kërkuar uljen e moshës së vaksinimit në 12 vjeç, nga zyrat e Qeverisë vjen vetëm heshtje.
– Ndërsa kemi kërkuar një strategji të plotë vaksinimi e përfshirjen aty edhe të dozës së tretë…asgjë nga Qeveria!
– Për të vazhduar kështu me përgatitjen e sistemit parësor, spitalor edhe në periferi, mbrojtjes së personelit shëndetësor, liberalizimit të laboratorëve e testimeve etj.
Pra për gjithçka që duhet bërë me urgjencë…përpara se të jetë përsëri tepër vonë dhe jo kur kjo Qeveri filloi të “hapë” veshët e gojën, si mbas gjumit letargjik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb