Pas pesë ditësh me përmasa dramatike, ku Landfilli i Elbasanit u përfshi nga flakët duke shkaktuar një emergjencë të vërtetë mjedisore, situata në orët e pasdites së kësaj të shtune duket disi më e qetë. Pavarësisht uljes së intensitetit të tymit toksik që ka mbuluar qytetin për ditë me radhë, operacioni i shuarjes dhe izolimit të vatrave të zjarrit vijon pa ndërprerje në terren

Aktualisht, mbi 60 efektivë nga shërbimi zjarrfikës, Bashkia Elbasan dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuar në vendngjarje. Ata punojnë në mënyrë të vazhdueshme në një sipërfaqe prej rreth 20.000 m² të mbuluar nga mbetje të djegshme, për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit dhe për të eliminuar plotësisht çdo vatër të mbetur aktive në thellësi.

Mjetet zjarrfikëse janë të përfshira intensivisht në operacion, duke spërkatur ujë pa ndërprerje mbi të gjithë sipërfaqen e landfillit, ndërkohë që zona është mbuluar nga një shtresë e trashë dheu për të bllokuar hyrjen e oksigjenit dhe për të izoluar zjarret në nëntokë.
Përveç forcave në terren, janë vënë në funksion edhe dhjetëra mjete të rënda si traktorë dhe fadroma, të cilat punojnë për shpërndarjen dhe ngjeshjen e dheut mbi mbetjet me qëllim krijimin e një shtrese mbrojtëse sa më efektive

Një autokolonë me mbi 50 kamionë është angazhuar për furnizimin e vazhdueshëm të zonës me mijëra metra kub dhera, të cilat hidhen në mënyrë të kontrolluar mbi landfill. Kjo masë teknike synon të minimizojë rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarrit në thellësi dhe të krijojë kushte për ndërprerjen e proceseve të djegies së ngadaltë që ndodhin poshtë sipërfaqes

Megjithë përmirësimet e dukshme në orët e fundit, autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë, pasi vatrat në nëntokë paraqesin ende rrezik për rikthimin e flakëve. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe çdo zhvillim do të pasohet me masa të menjëhershme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb