Kryetarët e partive politike shqiptare në Maqedoni janë pritur sot nga Presidenti Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama.

Në takimin e zhvilluar në presidencës, Nishani dhe Kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Ali Ahmeti diskutuan rreth situatës paszgjedhore në Maqedoni dhe angazhimin e BDI-së në këtë proces.

Ndërsa në takimin me kryeministrin Edi Rama, nisur rreth orës 15 e 45 minuta në kryeministri ishin të pranishëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe drejtuesi i Lëvizjes BESA Bilal Kasami.

Bisedimet mes tyre u fokusuan në situatën politike në Maqedoni dhe krijimin e qeverisë së re atje. Në facebook, Rama ka postuar edhe dy foto gjatë këtij takimi dhe shkruan: “Vëllazërisht???..”

Dita e premte konsiderohet e rëndësishme për jetën politike maqedonase, pasi parashikohet që për herë të parë të mblidhet Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 11 Dhjetorit.

Gjatë kësaj seance parlamentare, do të hidhet për votim zgjedhja e kryetarit të ri të Parlamentit, për të cilin nevojiten së paku 61 vota.

Nga rezultati zyrtar i zgjedhjeve VMRO mori 51 deputetë, LSDM 49 deputetë, BDI 10 deputetë, Besa 5 deputetë, Aleanca 3 deputetë, PDSH 2 deputetë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb