TIRANË

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka prezantuar një situatë aspak optimiste në sistemin e drejtësisë në një tryezë të mbështetur nga misioni Pameca ku merrnin pjesë edhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca e ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.

Çela tha se organet e drejtësisë po përballen me mungesa të theksuara në burime njerëzore duke folur për një situatë emergjence. Sipas tij, nuk ka ende një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojnë me kapacitete të plota.

“Ndërkohë që reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime rrënjësore nga pikëpamja strukturore në ngrehinën e drejtësisë, suksesi i shumëpritur do të mbetej i skicuar vetëm në imagjinatën e krijuesve dhe promovuesve të saj nëse njerëzit që do të mbeteshin apo do të hynin brenda kësaj ngrehine do të vazhdonin të gëlonin në moçalin e apatisë dhe mediokritetit, duke pritur që ndryshimet të vinin sërish nga një botë tjetër, e huaj dhe e pakuptueshme për ta, por që kishte zgjidhjet magjike dhe për problemet më të thjeshta për të cilat mjafton vetëm forca e vullnetit të mirë për t’u dhënë zgjidhje.

Reformat nuk janë qëllim në vetvete dhe as zgjidhja finale e problemeve. Ato janë instrumenti që duhet të krijojë kushtet e favorshme për zhvillimin e një realiteti të ri, me synim progresin shoqëror. Reforma në drejtësi është ende në proces, pasi ndërkohë që është miratuar një infrastrukturë e tërë ligjore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, institucionet e reja janë ngritur vetëm pjesërisht. Edhe pse procesi i vettingut nuk ka arritur ende në mesin e rrugëtimit të tij nga pikëpamja sasiore, organet e drejtësisë po ballafaqohen me mungesa të theksuara në burime njerëzore për shkak të largimeve të magjistratëve nga procesi i rivlerësimit kalimtar, ndërkohë që një pjesë e madhe e magjistratëve janë ende në proces apo nuk e kanë nisur procesin. Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori ka krijuar një situatë emergjence, pasi ndërsa jemi në vitin e katërt të reformës, ende nuk ka një perspektivë të qartë se kur sistemi do të funksionojë me kapacitete të plota”, theksoi Çela.

Ai deklaroi se Prokuroria është organi që ka pësuar ndryshimet më drastike nga reforma.
“Decentralizimi dhe pavarësia e prokurorëve u vlerësuan si zgjidhjet më të mira për ta bërë prokurorinë efikase, ndërkohë që gjykatës i është dhënë një pushtet edhe më i madh në fazën e hetimit, për të garantuar interesin publik dhe të drejtat e subjekteve. Ndryshimi i kulturës së funksionimit brenda një organizate është faza më e vështirë e çdo reforme që synon ta ndryshojë rrënjësisht atë. Kështu dhe për prokurorinë zbatimi i konceptit të pavarësisë është  sfida më e vështirë për t’u kapërcyer. Raportet e reja që ligji ka krijuar mes drejtuesve dhe prokurorëve kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues”, u shpreh më tej kryeprokurori.

Çela tha se konfigurimi i ri kushtetues dhe ligjor e ka futur prokurorinë në një proces jo të lehtë të ripërcaktimit të tipareve identitare, ndërkohë që dinamikat në jetën e vendit zhvillohen me një ritëm të atillë që nuk tolerojnë dobësi strukturore apo organizative.

“Për rrjedhojë gjetja e zgjidhjeve efikase që përmirësojnë funksionimin e brendshëm të organit dhe bashkëveprimin e tij në rrafshin institucional me agjencitë e tjera ligjzbatuese mbetet i vetmi opsion i vlefshëm ndaj rrezikut që paraqesin aktivitetet kriminale.
Nisur dhe nga sa më sipër, qëllimi kryesor i takimit të sotëm është prezantimi i një vizioni që ne kemi për atë çfarë mund të bëhet më mirë, dhënia e ideve tona mbi zgjidhjen e sfidave që lidhen me mirëfunksionimin e zyrave të prokurorisë. Masat që ne vlerësojmë se duhet të ndërmerren shtrihen në disa plane, duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale  e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional”, deklaroi ai.

Sipas Çelës, objektiv primar mbetet forcimi i pavarësisë dhe rritja e përgjegjshmërisë së prokurorëve përmes ndërtimit të një sistemi efikas monitorimi të aktivitetit të tyre në ushtrimin e funksioneve.

“Pjesë thelbësore e vizionit tonë është hartimi dhe zbatimi i një projekti madhor në funksion të mirëadministrimit të procesit të hetimit përmes modernizmit të tij ndërsa kemi hyrë në epokën dixhitale, duke perfeksionuar mënyrat e komunikimit dhe administrimit të të dhënave.
Rregullimi i ndërveprimit mes policisë gjyqësore dhe prokurorit që në fazën parahetimore është prioritet i rëndësishëm, pasi përmes ndërhyrjeve të natyrës administrative do të ulet ndjeshëm ngarkesa e panevojshme në punën e prokurorëve, duke rritur kështu produktivitetin.
Ne do të propozojmë sot ndërmarrjen e disa hapave konkretë për përmirësimin e kapaciteteve tona në hetimet që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale dhe krimin financiar, duke synuar krijimin e  një ambienti mbytës ndaj gangrenës së informalitetit që ka gërryer për 30 vjet sistemin ekonomik në vend dhe është kthyer në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik”, tha Prokurori i Përgjithshëm.

Ai theksoi se synohet të vihet në lëvizje një projekt për një qasje të re të institucioneve tona në raport me mënyrën e hartimit të politikave penale, përmes një këndvështrimi shkencor që bazohet mbi studime të mirëfillta kriminologjike, ku organet ligjvënëse, ato ligjzbatuese dhe bota akademike bashkëveprojnë për krijimin e modeleve realiste mbi instrumentet dhe mënyrat se si shoqëria jonë duhet të përballet me fenomenet kriminale.

“E ndërsa përmirësojmë kapacitetet tona institucionale, objektiv duhet të jetë aftësimi i tyre për t’u përshtatur në një botë që është në ndryshim të vazhdueshëm, përherë e më shumë të hapur e të ndërlidhur. Ne duhet të jemi largpamës e kreativë, duke rritur aftësitë tona analitike dhe duke i dhënë prioritet një qasjeje strategjike konstante.
Ne nuk kemi mundësinë t’i materializojmë të vetëm këto ide, pa mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunimin e kontributin e institucioneve shqiptare. Ne sot presim nga të gjithë ju një vështrim kritik mbi këto ide, presim t’i përpunojmë ato më tej, t’i plotësojmë me ide të reja të sjella prej jush, të cilat të jenë më pas në bazë të projekteve të mirëmenduara e që përfshijnë këdo që mundet të japë një kontribut të vlefshëm. Përmes kësaj inciative ne synojmë që të japim një ndihmesë reale në mirëmenaxhimin e energjive njerëzore dhe burimeve financiare që çdo vit investohen për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të drejtësisë në Shqipëri. Koordinimi i përdorimit të këtyre burimeve të çmuara dhe eliminimi i fenomenit të mbivendosjes së projekteve, duke iu përgjigjur njëkohësisht kërkesave reale që vijnë nga përfituesit e tyre, është hapi i duhur drejt optimizimit të performancës për të gjithë ne”, deklaroi Çela.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb