FIER- Skandal në pedonalen e re të qytetit të Fierit. Shtyllat e ndriçimit publik janë të pa izoluara dhe pa tokëzim duke rrezikuar jetën e banorëve. Siç mund të shihet edhe në pamje, me anë të një indikatori provohet lehtë se në sipërfaqe të shtyllës së ndriçimit publik ka rrymë elektrike. Po ashtu me anë të një matësi sërish konstatohet prania e korrentit.

Mbrëmjen e djeshme banorët kanë njoftuar policinë, pasi një qen, që shëtiste me të zotin është zënë nga korrenti duke u flakur disa metra tutje.

Pas denoncimit të banorëve, mësohet se OSHE ka ndërprerë energjinë në këtë shtyllë. Por vetë banorët hedhin dyshime se ky problem mund të haset në të gjitha shtyllat e vendosura përgjatë pedonales.

Kjo situatë rrezikon seriozisht banorët që kalojnë në rrugën e “Kongresi i Manastirit” gjatë mbrëmjes, apo dalin për tu relaksuar në këtë shëtitore, e cila bëri bujë të madhe pak para nisjes së fushatës elektorale.

Por, siç duket punimet e vrullshme, nuk përputhen aspak me pritshmëritë. Sot, qytetarët e Fierit kanë një pedonale të re, me korrentin nëpër këmbë që ju rrezikon jetët e fëmijëve dhe të vetë atyre.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: