Emisioni investigativ Vetting, News24
Edhe pse në dokumente zyrtare Bashkia e Përmetit pretendon se ka sistemuar dhe përmirësuar trajtimin e të moshuarve, realiteti është krejt ndryshe. Sipas vetë banorëve, asnjë i moshuar nuk përfiton trajtim apo kujdes nga strukturat që, të paktën në letër, gëlltisin miliona lekë nga fondet publike. Situata është alarmante: të moshuar të pambrojtur detyrohen të kërkojnë në koshat e plehrave për të mbijetuar. Një skandal më vete, që përmbys të gjitha justifikimet dhe raportimet e bashkisë, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe ndershmërinë e përdorimit të fondeve publike.
Agron Haxhimali kryetari i Shoqatës së Bashkive shprehet për Vetting se: “Logjika është fare e thjeshtë, në vitin 2025, 10 vite pas reformës, 35 vite demokraci, nuk jemi shtetformues nga pikëpamja institucionale, të pjekur dhe të formuar mirë, nuk respektojmë norma dhe standarde, nivelin e integritetit nuk e kemi ku duhet, transparencën nuk e kemi ku duhet, përfshirjen qytetare nuk e kemi aty ku duhet, të integrohesh në Bashkim Europian do të thotë të respektosh këto që sot shfaqin probleme në qeverisjen vendore”.
(Emisioni i plotë)
Bashkia po e përdor këtë ngrehinë për të gjeneruar tendera dhe një herë për ushqime, një herë për ene kuzhine e çdo gjë tjetër sikur të ishte funksionale dhe me kapacitet të plotë.
Investimet nuk po ndryshojnë edhe pse banorët dhe lëvizjet demografike po shkretojnë vendin. Por kjo nuk po reflektohet në buxhete dhe investimet që realisht kryhen.
Agron Haxhimali kryetari i Shoqatës së Bashkive thekson më tej se: “Bashkitë duhet të investojnë në mënyrë më strategjike që të kenë kthimin mbrapsht. Duhet të investojnë në ato sektorë të ekonomisë që përfitojnë qytetarët, fermerët që t’i shërbejë edhe këtij konviktorit 200 apo 300 milionë lekë për kuzhinier, shërbyese, drita, ujë, në kriza energjetike. T’i vazhdon paguan shpenzime për këtë gërmadhë më vjen keq ta them”.
Tender për materiale guzhine për konviktin dhe çerdhen e Bashkisë Përmet. Në këtë strukturë punonjësit e bashkisë janë duke u paguar ndërkohë shpenzimet kanë zero ekonomicitet.
Agron Haxhimali kryetari i Shoqatës së Bashkive shprehet për Vetting se: “Qytetarët paguajnë taksa për të marrë shërbime për të marrë investime, jo për pagesa të punonjësve”.
Tenderi i hapur në datën 05.08.2024 me REF-15301-08-05-2024 është shpallur fituese firma 5 XH GROUP. Tenderi u hap me fond limit 183,143,00 lekë. Ndërsa më tej një tjetër tender është hapur për BLERJE USHQIME PËR KOPSHTIN ME DREKË, ÇERDHEN DHE KONVIKTIN NË BASHKINË PËRMET PËR VITIN 2024.

“Skandali i Tenderëve në Bashkinë e Përmetit”
Në datën 16 janar 2024, Bashkia e Përmetit shpalli një tender me numër referencë REF-93355-01-18-2024 për blerjen e ushqimeve për kopështin, çerdhen dhe konviktin e shkollës për vitin 2024.
Një tender me një vlerë marramendëse prej 39 milionë lekësh.
Në këtë marrëveshje, kërkohen 4 150 litra qumësht, 1 698 litra kos, 12,718 kokrra vezë, dhe lista vazhdon.
Por çfarë është e çuditshme?
Në faqen zyrtare të Bashkisë së Përmetit, të gjitha kopshtet janë të shpallura, por vetëm një ka ushqim!
Çerdhja e Përmetit, me vetëm 32 fëmijë, merr furnizimin e plotë të ushqimeve.
Përveç kësaj, tarifa e fëmijëve është dyfish më e lartë se sa për kopshtet publike të tjera.
Ndërkohë, 10 kopshtet e tjera, nga “Kopshti nr.1” deri te “Kopshti Pacomit”, janë tërësisht pa ushqim. Konvikti i shkollës së mesme, i cili ka shumë më pak nxënës se çerdhja, ngre dyshime të mëdha mbi përdorimin e këtyre fondeve.
Si mund të justifikohen 7 punonjës për këtë strukturë kur furnizimi i ushqimit është kaq i kufizuar?
Ky tender ka shumë pyetje pa përgjigje. Pse nuk ka transparencë mbi përdorimin e këtyre fondeve?
Pse disa fëmijë përfitojnë dhe të tjerët jo?
(BalkanWeb)