Lirohen nga qelitë 4 të arrestuarit për skandalin e publikimit të pagave. Gjykata e Tiranës ka vendosur detyrim paraqitje për punonjësen e Tatimeve Eni Qirjako si dhe pezullim nga detyra, arrest shtëpie për Andi Agarajn, Klodian Sotën dhe Endri Ikonomin.

Qirjako dhe Agaraj akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim.

Sota akuzohet për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ikonomi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”.

Sipas hetimeve të prokuroria Klodian Sota, të dhënat e pagave të nxjerra nga databasa e “Sistemit Cats”, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve Tiranë, të marra nga shtetasi Andi Agaraj, punonjës i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ia ka dhënë shtetasit Endri Ikonomi kundrejt një shpërblimi prej 20 000 deri në 30 000 lekë.

VENDIMI I GJYKATËS

Vleftësimin si të ligjshëm ndalimit të personit nën hetim Eni Qirjako.
-Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Eni Qirjako, atë të “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore të hënën e parë të çdo muaji ora 10.00” të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
-Pranimin e kërkesës për caktimin si masë sigurimi ndaluese ndaj personit nën hetim E. Q., atë të “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” të parashikuar nga neni 240/a/1 i K.Pr.Penale.

Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Andi Agaraj. Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Andi Agaraj, atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Klodian Sota. Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Klodian Sota, atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Endri Ikonomi.
-Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim Endri Ikonomi, atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb