TIRANE – Ndalimi i 13 personave të dyshuar për skemën e abuzimit me rimbursimin e ilaçeve i ka siguruar prokurorisë dy dëshmi të rëndësishme në lidhje me këtë skandal. Ditën e djeshme, para se të skadonte afati ligjor i dorëzimit të kërkesave për caktim mase në gjykatë, prokuroria u ka ofruar bashkëpunim 13 të ndaluarve, përfshi pronarin e “Omega Pharma”, tre punonjës të rij, pronarët e farmacive dhe punonjësit e Drejtorisë së Fondit Shëndetësor.

“Panorama” shkruan se nga 13 personat e ndaluar prej tri ditësh, vetëm dy prej tyre kanë pranuar të japin shpjegime për prokurorinë duke bashkëpunuar kështu me hetimin e çështjes. Në këmbim prokuroria ka kërkuar masë më të lehtë sigurie për këta dy persona, ndërsa për 11 shtetasit e tjerë të dyshuar është kërkuar masa “arrest me burg”.

Burimet nga hetimi kanë thënë se dy personat që kanë pranuar të bashkëpunojnë janë njëri punonjës i kompanisë “Omega Pharma”, ndërsa tjetri, ish-¬zyrtar i Drejtorisë së Fondit të Detyrueshëm Shëndetësor. Duke qenë se nga viti 2013 këta dy persona kanë qenë pjesë e skemës së abuzimit, ata kanë treguar në detaje mënyrën se si realizohej tërheqja nga buxheti i shtetit i fondeve të akorduara për kompensimin e ilaçeve.

DËSHMITË
Sipas dëshmisë së dhënë nga një punonjës i depos farmaceutike “Omega Pharma” dhe një punonjës i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, skema e përfitimit financiar abuziv ka qenë e lidhur me faturat false. “Omega Pharma”, sipas dëshmitares, u ka ofruar farmacive “Katroshi”, “Farmacia 6”, “Express” dhe “Alice”, fatura false.

Ai në fakt i ka shitur këto fatura duke marrë përfitimin e tij, ndonëse nuk shpërndante asnjë medikament në farmacitë në fjalë. Nga ana tjetër, farmacitë, edhe pse nuk kishin blerë medikamentet e sëmundjeve të veshkave dhe zemrës, faturat false i paraqisnin me receta po ashtu false në Fondin e Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor, duke aplikuar për rimbursim. Paratë e dala nga arka e shtetit përvetësoheshin nga farmacitë.

SKANDALI I ILAÇEVE
Objekti i hetimit fillimisht ka qenë për rimbursimin e çmimeve të medikamenteve mjekësore, për receta false të ekzekutuara nga katër subjekteve farmaceutike fantazmë, “Lundër”, “Nutrimed 2012”, “Bërxhitë”, dhe “Adelina”. Përveç farmacive të sipërcituara, objekti i hetimit të këtij procedimi është zgjeruar edhe tek aktiviteti i disa farmacive të tjera, të cilat rezultojnë të kenë përfituar vlera të larta rimbursimi për sa u përket medikamenteve mjekësore, çmimet e të cilave rimbursohen nga shteti.

Referuar legjislacionit në fuqi, farmacitë rimbursohen vetëm për medikamentet mjekësore, të cilat janë tregtuar nga importuesi/ shpërndarësi farmaceutike që ka kontratë me Fondin. Farmacitë, si edhe depot importuese dhe ato shpërndarëse, kanë pasur detyrimin të deklarojnë çdo muaj hyrjet dhe depon, nga e cila kanë blerë medikamentet e bëra hyrje.

Nga hetimi ka rezultuar se disa farmaci kanë ekzekutuar receta fiktive. Nga këqyrja e hyrjeve të këtyre farmacive vihet re se një pjesë e madhe e furnizimeve ose të gjitha furnizimet janë bërë nga depoja “Omega Pharma Group”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb