Diplomati Agim Nesho, duke folur në Skype për “News 24” për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, deklaroi se sondazhet nxjerrin fituese Lëvizjen Vetëvendosje.

Nesho thekson se këto zgjedhje  janë pikë kthese për historinë e shtetit të Kosovë.

“Jemi përpara zgjedhjeve, që mund të shërbejnë si pikë kthese për situatën në Kosovë. kanë ndodhur disa ngjarje, si marrja e ish-liderëve të UÇK-së. Elektorati duket se beson tek Lëvizja Vetëvendosje. Sondazhet nxjerrin fituese të madhe Vetëvendosjen.  Nëse do ketë koalicion, pritet të shikohet. Mendoj se edhe forcat politike të tjera mendojnë se VV është alternativa që mund të zgjidhet nga qytetarët. Tjetër ka të bëjë edhe me kthimin e reciprocitetin e marrëdhënieve me Serbinë. Lëvizja Vetëvendosje do të vendosë shtetin e së drejtës. Duhet krijuar qeveri stabël në Kosovë”, tha Nesho.

Agim Nesho nënvizon se Vetëvendosje ka shpallur si prioritet kryesor ekonominë dhe politikën e drejtë e parimore kundrejt Serbisë.

“Elektorati duket se dëshiron Vetëvendosjen, pasi u votua masivisht nëntorin e kaluar. Populli i Kosovës duhet që të votojë edhe për sovranitetin e Kosovës. Nacionalizmi serb i përkrahur nga rusët, që donin të rirregullonin marrëdhëniet mes Beogradit e Prishtinës, duket se nuk zë vënd më me Vetëvendosjen në krye. Kurti ka thënë se do ta ketë fokusin tek ekonomia, me mundësinë e punësimit dhe vendosjen e drejtësisë. Kurti ka deklaruar se do që të zhdukë korrupsionin dhe interesat klanore e të krimit të organizuar. Vv ka kërkuar gjithmonë që Kosova të trajtohet përballë Serbisë si shtet sovran dhe i barabartë me shtetin serb”, u shpreh Nesho.

Më tej, Nesho nënvizoi se politika e Ramës ndaj Kosovës ka dështuar. Ai shtoi se pas fitores së Vetëvendosjes në Prishtinë, kjo valë ndryshimi do të përcillet edhe në Tiranë.

“Vjosa Osmani tha se është kundër politikave që çojnë në ndarjen e kufijve në Ballkan. Fryma në Kosovë do të vijë edhe në politikën ballkanike. Mendoj se politika e Ramës ndaj Kosovës ka dështuar.

Politika shqiptare duhet të jetë faktor ndërkombëtar në këtë shekull, por qeveria Rama e ka parë të lidhur gjithçka të lidhur me Serbinë. Nuk mund të zgjidhet çështja e bashkimit kombëtar, duke kaluar nga Beogradi. Zgjedhjet në 25 prill do të vijnë si valë ndryshimi nga Prishtina në Tiranë, për të cilat është borxhi i një klase politike ndaj qytetarëve”, përmbylli Nesho.

 

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb