Kryemistri Edi Rama është shprehur në studion e emisionit “Opinion” se sondazhi i krijuar nga vetë emisioni me temë sa njihen ministrat nuk ishte i vërtetë.

Rama ka thënë se ishte vetëm një anketim pasi sondazhet bëhen në mënyrë shkencore.

“Keni harxhuar kohën për një pseudosondazh duke u thënë njerëzve që ministrat kanë ndërmarrë një operacion për të rritur pëlqyeshmërinë. Së pari duhet t’i thoni publikut që sondazhet në media nuk janë sondazhe, por thjesht anketime të një grupi. Është thjeshtë anketim për ata që ndjekin një emision apo gazetë. Sondazhet bëhen në mënyrë shkencore. Është e pavërtetë dhe ne e kemi të verifikuar këtë gjë që në atë sondazh ka pasur ndërhyrje nga ministra apo stafet e tyre. E kemi vërtetuar. Në një vend tjetër, nëse do të ndodhte diçka e tillë do të bëhej hetim sepse atë gjë mund ta bënin edhe forca që do të diskretitonin qeverinë e një vendi. Unë nuk mendoj që janë forca të huaja, por mendoj se janë forca të brendshme. Di të them që është një gënjeshtër”, -tha Rama.

Pas deklaratës së Ramës ka ndërhyrë drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu. Ai theksoi se emisioni bëri një test dhe përdori dhe mënyra të tjera përveç pjesës online. Sipas Fevziut, pjesa më e madhe e IP-ve të përdorura për votat false ishin pranë PS-së.

“Ne bëmë një testim në tre pjesë. Testimin e parë e bëmë për të pyetur qytetarët në rrugë. 83% nuk i dinin ministrat. I nxorëm me letra në dorë, me fotografitë e ministrave. Ti je në paranojën që është bërë kundër teje, PD është në paranojën që është bërë kundër tyre. Ne jemi në rregull. IP-të e përdorura një pjesë e tyre “location” e kanë te PS ose rreth PS-së”, tha Fevziu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb