TIRANE – Të rinjtë shqiptarë kanë prirje më të madhe për të qenë liderë, në ndryshim nga të gjitha vendet e Evropës Qendrore”. Kjo është një prej gjetjeve të sondazhit “Hapat e parë në tregun e punës”, të kryer me studentë dhe të diplomuar në universitetet publike dhe private në vend, qëllimi i të cilit është t’u bëjë me dije punëdhënësve, politikëbërësve dhe institucioneve akademike në vend, aspiratat e brezit të ri.

Pyetësori që u ofrua online gjatë periudhës prill-qershor 2015, u plotësua nga 259 studentë, ndërkohë që pyetjet mbulonin disa fusha, si: përvoja dhe kompetencat, pritshmëria mbi pagat, sjellja ndaj lidershipit, mendimet mbi balancën punë-jetë etj. Nga të dhënat e sondazhit rezulton gjithashtu se ajo që i demotivon më shumë të rinjtë shqiptarë dhe i shtyn drejt kërkimit të një punëdhënësi tjetër është mosvlerësimi i punës së tyre.

Po ashtu, një tjetër e dhënë është fakti se të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të lëvizin nga vendbanimi i tyre për punë. Të pranishëm gjatë prezantimit të gjetjeve ishin edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Bazuar në rezultatet e tij, sipas Nikollës, nevojitet një qasje e re që e lidh më shumë biznesin me universitetin. Ndërsa, sipas Klosit, të rinjtë duhet të drejtohen drejt arsimit profesional.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: