TIRANË

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca zhvilloi sot një takim me kreun e KED-së, Ervin Pupe.

Në një postim në facebook, Soreca shkruan se takimi vjen në kuadër të takimeve me kryetarë të institucioneve të drejtësisë. Ambasadori i BE-se vë theksin në vijimin e emërimeve nga Gjykata e Lartë të gjyqtarëve të mbetur të Gjykatës Kushtetuese, që të sigurohet sipas tij, pavarësia e saj e plotë.

“Kënaqësi të takoja përsëri Kryetarin e KED-së Z. Ervin Pupe gjatë turit tim të takimeve me kryetarë të institucioneve të #drejtësisë. Me rëndësi të vazhdohet me emërimin nga Gjykata e Lartë të gjyqtarëve të mbetur të Gjykatës Kushtetuese, që të sigurohet pavarësia e saj e plotë,” shkruhet në postimin e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Nga ana e tij, Pupe ka shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin për asistencën e vazhdueshme të dhënë nga Bashkimi Evropian, në mjaft sektorë të ndryshmë të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në proceset e reformës në drejtësi.

Kreu i KED-së njohu ambasadorin Soreca me veprimtarinë e deritanishme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duke vendosur thelbin në qëllimin kryesor të këtij këshilli, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese e ligjore, në përzgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, për vitin 2021. Bashkëpunimi i ngushtë, harmonik dhe puna paralele mes tre institucioneve kryesore të përfshira në këtë proces siç janë Këshilli i Lartë Gjyqësor, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, do të sjellë funskionimin me përbërje të plotë të Gjykatës Kushtetuese, është shprehur Z. Pupe duke garantuar vijimësinë e traditës së krijuar tashmë nga KED për të arritur këtë qëllim, më përkushtim.

Ambasadori i Bashkimit Evropian Z. Luigi Soreca, shprehu gadishmërinë për të vijuar mbështetjen e KED më asistencë teknike sikurse është ofruar deri tani, duke kërkuar nga ky këshill të vijojë më të njëjtin përkushtim në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ambasadori Soreca theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve kyç, për të bërë të mundur emërimin e tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke inkurajuar vijimësinë e suksesit të KED në këtë proces.

Pavarësia, integriteti dhe efiçenca e plotë e institucioneve të drejtësisë, ishte në fokus të këtij takimi, prej nga ku Kryetari i K.E.D., mori edhe një herë konfirmimin për mbështetjen në implementimin e reformës në drejtësi, nga përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Evropian në Tiranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb