Tifozët në Francë dhe Argjentinë janë duke numëruar edhe sa orë kanë mbetur para nisjes së finales së Kampionatit Botëror të Futbollit, Kuba e Botës, që këtë herë është organizuar në Katar.

Ngjarja, që nis në orën 16:00, është historike për të dyja palët. Franca synon të bëhet vetëm shteti i tretë që rifiton trofeun në historinë e saj 92-vjeçare, pas Italisë dhe Brazilit. Trajneri i ekipit Didier Deschamps – i cili ka qenë kapiten i ekipit kur ka fituar Franca më 1998 – synon të bëhet menaxheri i parë pas Vittorio Pozzos së Italisë për të fituar titujt radhazi.

Për Argjentinën, shpresat dhe ëndrrat e kombit janë mbi supet e Lionel Messit. I njohur si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, ai shpreson të kurorëzojë karrierën e tij me fitore në Kupën e Botës. Messi, 35-vjeçar, ka deklaruar se kjo do të jetë ndeshja e fundit që luan për kombëtaren e Argjentinës në një organizim të tillë. Në Buenos Aires duket se lumturia e së ardhmes varet nga kjo finale.

Argjentina është shtet në krizë të thellë ekonomike. Inflacioni i lartë nënkupton se miliona njerëz kanë probleme çdo muaj. Por, javëve të fundit, Lionel Messi dhe ekipi i Argjentinës janë duke lënë anash shqetësimet e shumicës që është fokusuar në futboll. “Ky shtet është goditur aq shumë, Kupa është duke na bashkuar, ne e kemi këtë personalitet, futbollistin më të mirë në botë, atë e do secili”, ka thënë pronari i një bari, Luis Sarni.

Përveç Messit, edhe pjesa tjetër e ekipit është duke e bërë shtetin të lumtur. “Secili në Argjentinë e sheh veten si trajner, secili e ka një mendim ndryshe, mirëpo kur festojmë – qajmë, qeshim bashkë”, ka thënë Luis. Për Martin Rojas, një burrë argjentinas që jeton në Francë, mirëpo i cili është kthyer për pushime në familje, ndeshja e së dielës do të thotë shumë.

“Është ëndrra ime – prej kur kam lindur në vitet 90, nuk e kam parë Argjentinën kampione të botës”, ka thënë ai. “Për Messin është ndeshja e tij e fundit në këtë lloj kampionati, është mundësi shumë e mirë për të”. Kjo duket edhe si mundësi e Argjentinës për t’u ndjerë krenare me shtetin e bukur, ndonëse në shumë telashe. Edhe në Paris gëzimi vërehet në ajër. Ndeshja e së dielës shënon finalen e katërt për Francën në shtatë kampione të Kupës së Botës. Sipas statistikave të tifozëve, Franca nuk është mposhtur në 10 ndeshje kundër ekipeve të Amerikës Jugore.

Humbja e fundit ka qenë më 1978 – nga Argjentina. Kjo situatë sjell në kujtesë komentet e famshme të futbollistit francez, Killian Mbappe më herët gjatë këtij viti, që futbolli i Amerikës Jugore nuk është aq i “avancuar” sa ai evropian, për shkak të nivelit “më të ulët” të konkurrencës atje.

Ai i është referuar faktit që hera e fundit kur një ekip i Amerikës Jugore ka fituar Kupën e Botës ka qenë Brazili më 2002 – dhe se Argjentina nuk ka fituar prej vitit 1986. Këto dhe shumë aspekte tjera e bëjnë Francën të rrisë vetëbesimin, ani pse, në anën tjetër, për Argjentinën ky realitet mund të jetë më shumë shtytje për fitore. Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe gruaja e tij, Brigitte kanë udhëtuar për ta parë ndeshjen në Katar.

Ata do të shoqërohen nga një delegacion i personaliteteve të sportit. Kjo është hera e dytë që Macron udhëton në Katar brenda katër ditëve, duke e përmbushur premtimin që e ka bërë në fillim të garës, për të marrë pjesë në gjysmëfinalen e Francës kundër Marokot. Në fillim të kampionatit, presidenti Macron ka pasur kritika për shkallën e të drejtave të njeriut në Katar, mirëpo sa më shumë që Franca ka fituar në këtë organizim, aq më të pakta janë bërë thirrjet për bojkot.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb