Eurodeputetja italiane Ilaria Salis, pjesë e grupit parlamentar “Të Gjelbrit” në Parlamentin Europian, ka mbërritur në Tiranë për t’iu bashkuar “Revolucionit të Flamingove”, protesta qytetare që këtë të shtunë ka hyrë në ditën e saj të 27-të.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salis njoftoi se fundjavën do ta kalojë mes protestuesve dhe aktivistëve që janë pjesë e kësaj lëvizjeje. “Sapo mbërrita në Tiranë. Këtë fundjavë do të jem në demonstratë dhe do të takoj njerëzit dhe aktivistët që po i japin jetë kësaj lëvizjeje fantastike popullore,” shkroi eurodeputetja.
Appena arrivata a #Tirana, in #Albania 🇦🇱
Questo fine settimana sarò qui per partecipare alle manifestazioni e incontrare persone e attivisti che stanno dando vita a questo straordinario movimento popolare🦩
Vi tengo aggiornate!😉 pic.twitter.com/sAaEdy0KYR— Ilaria Salis (@SalisIlaria) June 26, 2026
Ndërkohë, organizatorët kanë bërë thirrje për një protestë kombëtare, duke ftuar qytetarë nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen manifestimit antiqeveritar, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Më herët, edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus bëri të ditur se do të marrë pjesë në protestën e zhvilluar në Tiranë. Në një postim në Instagram, ajo theksoi se mbrojtja e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mjedisit është një kauzë me rëndësi të veçantë.
Paulus u shpreh se synon të dëgjojë nga afër shqetësimet e qytetarëve shqiptarë dhe t’i përcjellë ato në Bruksel, me synimin për të rritur vëmendjen dhe presionin ndërkombëtar ndaj vendimmarrjes së qeverisë shqiptare.
