Policia Kombëtare Spanjolle ka liruar në Caldes de Montbui një burrë që mbahej i arrestuar dhe i dhunuar prej 10 ditësh kundër vullnetit të tij, pas një përplasjeje për humbjen e një ngarkese prej më shumë se 500 kilogramësh kokainë, me vlerë tregu rreth 30 milionë euro.

Hetimet e kryera nga Sektori i Pengmarrjeve dhe Gjobvënieve në Policinë Gjyqësore Spanjolle zbuluan se ngjarja zë fill nga transporti i lëndës narkotike, e cila duhej të dërgohej me rrugë tokësore nga Spanja drejt Portugalisë. Lideri i organizatës kriminale, me origjinë shqiptare, i kishte besuar transportin e mallit një shoferi ndërmjetës me kombësi rumune, i cili nga ana e tij kishte angazhuar një person të tretë (gjithashtu rumun) për të kryer udhëtimin.

Gjatë rrugës, transportuesi i fundit simuloi një grabitje të lëndës narkotike nga persona të tretë – e njohur në zhargonin e trafikut si “vuelco” – dhe nga frika e hakmarrjes u largua duke u fshehur. Në fund të muajit korrik, kreu shqiptar i rrjetit rrëmbeu me dhunë shoferin ndërmjetës, të cilin e mbajti peng për 10 ditë me radhë duke e rrahur dhe kërcënuar sistematikisht për t’i nxjerrë vendndodhjen e transportuesit dhe të kokainës.

I dëmtuari, i cili paraqiste shenja të rënda dhune në trup, u shpëtua nga agjentët e policisë në momentin kur pengmarrësi po e zhvendoste me një automjet drejt një zone të izoluar malore.

Gjatë ndërhyrjes për arrestim, autori tentoi të përplaste makinat e policisë dhe provoi të nxirrte një pistoletë që e mbante të fshehur në çantën e belit, por u neutralizua dhe u vu në pranga nga forcat e rendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb