Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili është përfshirë në një hetim gjyqësor ndaj gruas së tij, për të cilën thotë se është një fushatë destabilizimi e orkestruar nga opozita e djathtë, duket se është tërhequr nga vendimi për t’u dorëhequr.

Ai tha sot për mediat se; “Kam vendosur të vazhdoj me më shumë forcë nëse është e mundur”. Kryeministri spanjoll theksoi se vlerësonte reagimet sociale, duke shtuar se; “Unë dhe bashkëshortja ime e dimë që kjo fushatë shpifjeje nuk do të ndalet, ne e vuajmë prej 10 vitesh. Por mund ta përballojmë”.

Në pushtet që nga viti 2018, lideri socialist 52-vjeçar të mërkurën e kaluar pezulloi të gjitha aktivitetet e tij publike pasi një gjykatë e Madridit njoftoi hapjen e këtij hetimi paraprak për “korrupsion” dhe ” ndikim të padrejtë”. Ai e mori vendimin pasi një gjykatë hapi një hetim fillestar ndaj gruas së tij mbi pretendimet për korrupsion.

Z. Sánchez ka këmbëngulur se akuzat janë një fushatë ngacmimi e orkestruar nga mediat e krahut të djathtë.
Akuzat kundër gruas së Sánchez, Begoña Gómez u ngritën kundër saj nga organizata Manos Limpias (Duart e Pastra), e udhëhequr nga një njeri i lidhur me të djathtën ekstreme të quajtur Miguel Bernad. Megjithatë, të enjten, prokurori publik i Madridit bëri thirrje që hetimi të mbyllej për mungesë provash dhe Manos Limpias gjithashtu pranoi se akuzat mund të ishin të rreme sepse ato bazoheshin në histori të gazetave në internet – njëra prej të cilave tashmë është dëshmuar të jetë e rreme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: