Stina e verës dhe temperaturat e larta rrisin rrezikun për aktivizimin e zjarreve, qofshin të qëllimshme apo aksidentale. Për parandalimin e këtij rreziku, prefekti i Qarkut të Korçës zhvilloi sot takimin me Komisionin e Mbrojtjes Civile në shkallë qarku për periudhën Maj-Tetor 2024 lidhur me administrimin e Emergjencave Civile Verore, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile z. Haki Çako.

Prefekti i Qarkut të Korçës Nertil Jole tha në takim se Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore kanë detyrim të zbatojnë programin e masave të përgatitur nga institucioni i Prefektit për sezonin veror. “Nga statistikat rezulton se vitin e kaluar rastet e zjarreve kanë ardhur në ulje në nivel qarku dhe sipërfaqet e përshkuara kanë qenë më të vogla, megjithatë duhet garantuar vigjilencë e vazhdueshme për të reduktuar efektet negative nga zjarret (apo edhe përmbytjet), që mund të shkaktohen në të ardhmen”.

Sipas tij, masat parapërgatitore, sinjalizimi i hershëm, kontrolli dhe monitorimi i vazhdueshëm i territorit (në veçanti në zonat me risk), si dhe organizimi i sistemit të vrojtimit e reagimi të menjëhershëm të strukturave për shuarjen e zjarreve, janë jetike për parandalimin e situatave me risk që mund të agravojnë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Mbështetja e përvitshme nga buxheti i shtetit në fushën e mbrojtjes civile nuk ka munguar, nëpërmjet fondit të kushtëzuar të alokuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe projekteve fituese nga fondi i programeve për mbrojtjen civile dhe digat. Për këtë vit bashkitë kanë kapacitete operacionale e mjete zjarrfikse më të kompletuara”, u shpreh Jole.

“Domosdoshmëria e koordinimit të punës me strukturat e vetë bashkive, ndërmjet bashkive si dhe me institucionet shtetërore në nivel vendor e rajonal, do të garantojë një administrimin akoma më efikas të situatave të rënies së zjarreve”, theksoi ai në fjalën e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb