Përleshje të dhunshme dhe trazira shpërthyen sërish në Spanjë për natën e tretë radhazi të protestave për lirimin e reperit të burgosur Pablo Hasel më 16 shkurt.

Demonstratat nën moton “Liri për Hasel-in”, të cilat filluan në qytetet e Katalonjës, Barcelona, Lleida, Girona, Vic dhe Tarragona më 16 shkurt dhe u përhapën në qytete të tjera të mëdha si Madridi, Granada dhe Malaga, vazhduan edhe sot.

Protestave, që u intensifikuan në Katalonjë pasi reperi jetonte në Lleida dhe burgos në këtë qytet, sot iu bashkuan edhe pesë qytete në rajonet Valencia, Salamanca dhe Baski.

Protestat më të mëdha sot u regjistruan në Valencia dhe Barcelonë, ku janë arrestuar të paktën 14 persona.

Policia kohë pas kohe ka intervenuar ndaj protestuesve, të cilët hodhën gurë në drejtim të policëve, i vunë flakën koshave të plehrave, dëmtuan dyqanet, bankat, automjetet dhe ndërtesën e një gazete.

Gjatë incidenteve janë raportuar edhe të plagosur, përfshirë policë.

Ndryshe, reperi u burgos të martën me akuza për glorifikim të terrorizmit dhe ofendimit të monarkisë spanjolle përmes postimeve politike në Twitter dhe teksteve të këngëve. Ai u dënua me nëntë muaj burg.

Amnesty International e ka dënuar rastin si shkelje të fjalës së lirë. Zëvendëskryeministri i ekstremit të majtë të Spanjës, Pablo Iglesias, i ka bërë thirrje qeverisë që urgjentisht të lirojë Hasel-in.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb