Zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, janë vetëm pak ditë larg, dhe kandidati i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhemal Bushati shprehet i bindur se qytetarët shkodran do e votëbësojnë atë për të marrë drejtimin e bashkisë.

Në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, Bushati tregon lidhjen e tij të ngushtë me qytetin e Shkodrës, ku tregon se asnjëherë nuk është larguar nga ky qytet, dhe se do të jetë një kryebashkiak ndryshe nga çfarë ka pasur ky qytet deri më tani.

Kandidati i Partisë Demokratike për Shkodrën thotë se nuk ka një program për qytetin, por një projekt konkret, i cili do të jetë lehtësisht i zbatueshëm nëse qytetarët shkodran do e zgjedhin atë në krye të bashkisë. Një vemendje e veçantë në projektet e Bushatit, kanë edhe të rinjtë, për të cilët kandidati demokrat premton se do të jetë në krah të rrugëtimit të tyre profesional dhe sipermarrës.

Xhemal Bushati zotohet se vendimarrjet për Shkodrën nuk do të jenë të tijat personale, por do të merren pas konsultimeve me qytetarët. Sipas tij bashkëqeverisja me qytetarët do të jetë filozofia e tij për drejtimin e bashkisë.

A rrezikon Partia Demokratike që në këto zgjedhje të humbasë një bastion të saj siç është Shkodra? Bushati thotë se demokratët do dinë që problemet e brendshme të mos i transferojnë në këto zgjedhje, dhe se ato do të zgjidhen pas 6 marsit. Për këtë arsye ai kërkon që demokratet e Shkodrës të votojnë projektin e tij për këtë qytet dhe jo ndasitë e problemet që vijnë nga Tirana.

Xhemal Bushati u kërkon qytetarëve të Shkodrës që të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet lokale, sepse vetëm kështu verdikti i tyre për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri, do të jetë sa më i plotë. Ne datën 6 mars, qytetarët e Shkodrës do të drejtohen në kutitë e votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë së këtij qyteti. Në garë për kreun e kësaj bashkie janë Xhemal Bushati i Partisë Demokratike, Majlinda Angoni e PS, si dhe Bardh Spahia i Shtëpisë së Lirisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb