Derbi fitohet, nuk luhet. Tirana triumfoi 3-2 ndaj Dinamo Cityt, në përballjen e mbajtur në “Air Albania” dhe të vlefshme për Superioren. Bardheblutë finalizojnë me sukses një aksion si në playstation në minutën e shtatë. Nikqi dërgoi topin në rrjetë, duke ndezur festën e ekipit të Erbim Fagut.

Në minutën e 16-të, Qefalia shkaktoi 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë u tregua i saktë Latifi. Në epërsinë e dy golave, Tirana shkoi e qetë në dhomat e zhveshjes, ndërsa dinamovitët kishin përpara vërtetë një “malore” për të ngjitur në fraksionin e dytë.

Në të 63-tën, portieri Sali i mohoi golin Latifit. Skuadra e Dritan Mehmetit shkurtoi diferencat pak më vonë me Klevi Qefalija, përpara se të vinte barazimi nga i njëjti autor.

Nuk kishte vend për dramë te Tirana, pasi Fjoart Jonuzi i dhuroi 3 pikë skuadrës me golin e tij në minutën e 80-të. Tirana shkon në kuotën e 39 pikëve në vendin e pestë. 36 pikë ka Dinamo e vendit të gjashtë.

(J.S/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: