Klodian Rrjepaj, ish-zv.ministër i Shëndetësisë, i cili ndodhet nën akuzë nga SPAK për koncensionin e Sterilizimit, po jep dëshminë e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar.
Ai ka dhënë sqarime kryesisht teknike, ndërsa ka sqaruar edhe rolin e Ilir Rrapajt, i cili ishte i ngarkuar nga Rajoni i Umbrias për hartimin e planit të Marrëveshjes, jo vetëm me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera, në mos gaboj edhe me atë të Bujqësisë.
“Unë isha i ngarkuar nga ministri i Shëndetësisë për të përfaqësuar Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa Rrapaj ishte i ngarkuar nga rajoni i Umbrias”, sqaroi Rrjepaj.
Studimi i Universitetit të Peruxhias, tha Rrjepaj, nuk ka lidhje me Ilir Rrapaj. “Nuk ka pasur asnjë tagër Ilir Rrapaj për këtë studim”, tha Rrjepaj.
Gjatë seancës me pyetje përgjigje, ish-zv.ministri Rrjepaj tha se nuk ka qenë në dijeni të memo-s që Ogerta Manastirliu, në kohën që ka qenë drejtoreshë e QSUT, i ka drejtuar ministrit të kohës së Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ku thuhet se reparti qendror i sterilizimit në QSUT kishte teknologji avangarde për procesin e ripërshtatjes së sterilizimit me avull, sterilizimit në të thatë dhe mirëmbatjes dhe ripërpunimit të të gjithë instrumenteve kirurgjikale.
“Jam në dijeni të masterplan të QSUT të përgatitur nga kompania gjermane, kam qenë prezent edhe në një nga inaugurimet që janë bërë të një pjesë të spitalit të ri të urgjencës të financuar nga CEB. T’iu korrigjoj në këtë aspekt, se pjesa e përgatitur nga Top Consult i përkon vetëm investimit në repartin qendror të sterilizimit
Pjesa e investimit në pajisje tek ka qenë 0.8 mln euro, për pjesën e hapësirës së infrastrukturës ka qenë duk tek 0.6 mln euro”, tha Rrjepaj.
Lidhur me memon e Manastirliut, kryetarja e Komisionit Hetimor, Albana Vokshi u shpreh “në memo, Ogerta Manastirliu, si drejtore e QSUT në atë kohë, bën edhe shpjegimin e skemës së gjithë procesit, e mbyll duke përshkuar jo vetëm sterilizimin por edhe të transportit të produkteve që sterilizoheshin, deri në momentin futjes të konteinerëve që më tej do asgjësoheshin. Pjesë e memos është edhe përllogaritja e stafit që nevojitej që duhej trajnuar për të vënë në funksionim qendrën e sterilizimit që do përballonte të gjitha nevojat e gjithë Shqipërisë. Ky repart ishte i mjaftueshëm për të përballuar 60 mijë operacione.
Memo ka skemën e transportit dhe ka bërë një përllogaritje të kostove për lënde djegëse për kaldajën, lavenderinë, kosto për transportin dhe mirëmbajtjen e aparaturave që është në vlerën 5.7 mln lekë. I ka kërkuar Ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit nga PIU i ministrisë, njësia për zbatimin e projekteve të huaja për ta vënë në funksionim.
Jeni në dijeni për ndonjë përgjigje për këtë memo ku shqetësimi është shumë i lartë”.
Në përgjigjen e tij, Rrjepaj tha se nuk është në dijeni të asnjë “memo””.
“S’më ka ardhur mua kjo shkresë dhe nuk di nëse është dërguar përgjigje kësaj shkrese. Nuk e kam parë dhe as nuk e kam lexuar në atë kohë, s’më ka ardhur mua.
Memo ka autorizimin e Manastirliut vetëm në faqen e parë, pjesa tjetër është plani i Top Consult për repartin e sterilizimit. Atë memo nuk e kam parë, s’më ka ardhur mua, janë dy dokumente të ndara që janë bashkuar në një”, tha Rrjepaj.
(BalkanWeb)