Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar konsultime me studentët për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029).

Nga Durrësi ku edhe u mbajt ky konsultim, Rama u shpreh se sot mungon cilësia në orët e informatikës, pasi ka mungesë të mjeteve.

Ai gjithashtu theksoi se laboratorët e shkollave do të plotësohen me qëllim që mësimi të mos mbetet në mënyrë mekanike, ndërsa shtoi se objektivi është që së shpejti informatika të nisë që në klasë të parë.

“Disa çështje që kanë qenë të kudondodhura në takimet e kryera me studentë, janë trajtuar sot në një takim me anëtarët e kabinetit. Dua të them se klasat e informatikës nuk janë në lartësinë e duhur dhe nuk ofrojnë një mësim cilësor. Nxënësit ankohen për pamundësinë që të kenë një mësim në laborator, që të jetë informuar si edhe në të njëjtën kohë cilësor. Ne do të fillojmë punën për të plotësuar laboratorët e shkollave, natyrisht jo të gjitha njëherësh sepse nuk bëhen dot, por me qëllim që mësimi i laboratorëve të mos jetë thjesht mekanik. Duke shfrytëzuar një mësim që e keni marrë nga periudha e mbylljes që na ka treguar që nuk është e domosdoshme që të jemi fizikisht në të njëjtën hapësirë për të ndarë dijet tona, apo për të ndarë opinionet tona apo për të ndarë shqetësimet tona. Që do të thotë se sistemin e dhënies së mësimit të Informatikës, që kemi dhe njëkohësisht objektivin ta nisim qysh në klasë të parë së shpejti, do ta bëjmë sistem të qendërzuar ku falë mundësisë së lidhjes në distancë nxënësit duke pasur mësuesin përkatës të pranishëm në klasë të marrin një pjesë të konsiderueshme të mësimeve nga lektorë të nivelit më të lartë”, tha Rama.

Më tej Rama shtoi se bota virtuale ka prekur të rinjtë dhe të rejat, duke krijuar mundësi për të gjithë.

Kryeministri po ashtu, theksoi se sot tregu i punës është i madh sa globi dhe se është i hapur për këdo që jeton në këtë planet dhe që ka përpara kompjuterin.

“Edhe në botën më të zhvilluar kur bëjnë dokumente strategjikë edhe në nivelin më të lartë të ekspertizës, flasin me njerëzit. Këto biseda për mua kanë shumë vlerë sepse duke dëgjuar kujton që këto gjëra që përsëriten duhen adresuar tani. Të gjitha janë me rëndësi, por tani duhen adresuar ato që janë më të përbashkëta si shqetësime dhe që duhet të na çojnë në një nivel tjetër.

Paralelisht me programet që përfshijnë shkollat, po punojmë edhe me programin e përgatitjes së koduesve duke iu dhënë mundësinë që nëpërmjet kurseve intensive të arrihet që në një kohë të shkurtër të mbledhësh informacionin e disa viteve dhe t’i japësh në dorë një të riu instrumentet që të hyjë në ekranin  e kompjuterit të gjejë punë.

Sot është një treg punë që është i madh sa globi që rrotullohet është i hapur për këdo që jeton në këtë planet pa pasur nevojë të lëvizë nga këndi ku është ulur dhe që ka përpara kompjuterit. Tregu rritet në mënyrë marramendëse me nevojën për njerëz, sigurisht për njerëz të kualifikuar që dinë të hyjnë në atë ekran dhe që njohin gjuhën e kompjuterit. Sot në Shqipëri kemi vajza dhe djem që kanë hyrë në këtë treg”, tha më tej Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb