Një grua ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi me dron në jugperëndim të Rusisë, rreth 350 kilometra në jug të Moskës.
Sipas guvernatorit të rajonit të Lipetskut, Igor Artamonov, qyteti i Jeletsit u godit nga dronë, ndërsa viktima ndodhej brenda banesës së saj në momentin e sulmit.
“Një grua u vra ndërsa ishte në shtëpi”, deklaroi Artamonovi përmes platformës Telegram, duke shtuar se pesë persona të tjerë mbetën të plagosur.
Sulmi vjen në një kohë kur Rusia dhe Ukraina kanë rifilluar shkëmbimin e sulmeve, pas përfundimit të armëpushimit 32-orësh për Pashkët Ortodokse. Armëpushimi, i cili u respektua vetëm pjesërisht, përfundoi mes akuzave të ndërsjella nga të dyja palët për mijëra shkelje gjatë periudhës së tij.
