Ka histori që duken të pabesueshme, por janë tërësisht reale. Njëra prej tyre është ajo e Sylvester Stallone, aktorit që nga varfëria ekstreme arriti të krijojë një nga personazhet më ikonike në historinë e kinemasë – Rocky Balboa. Në vitin kur Stallone feston 80-vjetorin dhe “Rocky” mbush 50 vjet nga publikimi, historia e krijimit të filmit vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Në mesin e viteve 1970, Stallone ishte një aktor i panjohur që jetonte në kushte të vështira ekonomike. Ai kishte mbetur pa para, flinte në një stacion autobusi në Los Angeles dhe, për të mbijetuar, u detyrua të shiste qenin e tij të dashur, Butkus, për vetëm 40 dollarë.

Frymëzimi erdhi pasi ndoqi ndeshjen e famshme të boksit mes Muhammad Ali dhe Chuck Wepner. I impresionuar nga rezistenca e boksierit autsajder, Stallone u mbyll në shtëpi dhe për vetëm tre ditë e gjysmë shkroi skenarin e parë të “Rocky”, me rreth 90 faqe. Studiot e Hollivudit u interesuan menjëherë për skenarin dhe i ofruan një shumë të konsiderueshme parash për ta blerë, por me një kusht: ai të mos interpretonte rolin kryesor.

Stallone refuzoi, edhe pse kishte nevojë të madhe për para. Ai ishte i bindur se vetëm ai mund ta sillte në ekran personazhin e Rocky Balboas. Filmi u realizua me një buxhet modest dhe u shndërrua në një fenomen botëror. Në ceremoninë e Oscarëve të vitit 1977, “Rocky” fitoi tre çmime Oscar, përfshirë Filmin më të Mirë dhe Regjinë më të Mirë për John G. Avildsen. Vetë Stallone u nominua si Aktori më i Mirë dhe për Skenarin më të Mirë Origjinal, duke u bërë personi i tretë në histori që merrte nominime në të dyja kategoritë për të njëjtin film, pas Charlie Chaplin dhe Orson Welles.

Pas suksesit, ai arriti të rikthente edhe qenin e tij Butkus, duke paguar rreth 3 mijë dollarë për ta blerë sërish. Pesë dekada më vonë, shkallët e Muzeut të Artit në Filadelfia vazhdojnë të vizitohen nga miliona turistë që përsërisin skenën ikonike të Rocky-t duke ngritur grushtat në shenjë fitoreje.

Statuja prej bronzi e Rocky Balboas, e krijuar për filmin “Rocky III”, është kthyer në një nga monumentet më të fotografuara në SHBA. Ajo është pjesë e ekspozitës “The Promise: Rocky and the Making of a Monument”, e hapur në Muzeun e Artit të Filadelfias deri më 2 gusht. Një pjesë e suksesit të filmit lidhet edhe me kolonën zanore të kompozitorit Bill Conti. Kënga “Gonna Fly Now”, që shoqëron vrapimin legjendar të Rocky-t në rrugët e Filadelfias, mbetet edhe sot një nga himnet më të njohura motivuese në historinë e kinemasë dhe sportit.

Historia e jashtëzakonshme e krijimit të “Rocky”-t do të rikthehet këtë vit në ekranin e madh me filmin biografik “I Play Rocky”, prodhim i Amazon MGM Studios. Filmi drejtohet nga fituesi i Oscarit Peter Farrelly, ndërsa rolin e Sylvester Stallone do ta interpretojë Anthony Ippolito. Në kast bëjnë pjesë edhe Stephan James, AnnaSophia Robb, Matt Dillon, Kiki Seto, Robert Morgan dhe Jay Duplass. Edhe pse Stallone nuk është pjesë e produksionit, ai ka ndihmuar aktorin kryesor me këshilla për të portretizuar sa më besnikërisht periudhën kur lindi një nga historitë më frymëzuese të kinemasë. Me premierën e planifikuar për në nëntor, në përvjetorin e 50-të të “Rocky”-t, “I Play Rocky” synon të tregojë se si këmbëngulja, besimi dhe guximi mund ta kthejnë një ëndërr të pamundur në një legjendë të pavdekshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb