TIRANË- Pas deklaratave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, se kryeministri nuk po u vjen në ndihmë banorëve të zonave të përmbytura dhe thirrjeve të tij për ngritjen urgjent të Shtabit të Emergjencave, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme. Në një deklaratë për mediat, të MPB-së thuhet se Ministri Tahiri shpreh keqardhjen për atë që ai e quajti “shkëputje e plotë e kryetarit të opozitës nga realiteti”, ndërsa deklaroi se prej 3 ditësh janë ngritur shtabet e emergjencave dhe janë marrë masat për situatën e përmbytjeve.

Sipas Ministrisë së Brendshme janë vënë në gatishmëri të gjitha kapacitet njerëzore dhe teknike të emergjencave civile, të bordeve të kullimit, autoritetit rrugor, njësive të qeverisjes vendore. Janë vënë në gatishmëri të gjitha strukturat e Policisë, Ushtrisë dhe Shërbimit Zjarrfikës si dhe janë vënë në funksionim mjetet e emergjencave civile, fadroma, borëpastruese dhe motobarka.

“Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri shpreh keqardhjen për shkëputjen e plotë të kryetarit të opozitës nga realiteti. Thirrja e tij për ngritjen e një shtabi emergjence është thirrje e dikujt që e ndjek jetën e vendit nga jashtë realitetit dhe mesa duket as nga televizori. Sepse, që prej ditës së djeshme mediat kanë informuar në vijimësi për masat e marra nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme për të përballuar situatën e vështirë të krijuar nga reshjet: Prej 3 ditësh janë ngritur dhe funksionojnë shtabet e emergjencave civile në çdo qark. Që në datë 29 janar janë njoftuar autoritetet e qeverisjes vendore se sipas parashikimeve do të kishte reshje të dendura dhe rrezik për përmbytjeje veçanërisht në qarqet Gjirokastër, Fier, Vlorë dhe Berat.

Janë vënë në gatishmëri të gjitha kapacitet njerëzore dhe teknike të emergjencave civile, të bordeve të kullimit, autoritetit rrugor, njësive të qeverisjes vendore. Janë vënë në gatishmëri të gjitha strukturat e Policisë, Ushtrisë dhe Shërbimit Zjarrfikës. Janë vënë në funksionim mjetet e emergjencave civile, fadroma, borëpastruese dhe motobarkat, me të cilat po operohet për evakuimin e popullatës në komunat e Levanit dhe Frakullës në Fier dhe Novoselës në Vlorë. Janë kryer sot paradite operacione me helikopter për të shpëtuar pronarët e lokaleve, që nuk ishin larguar nga bizneset e tyre dhe ishin bllokuar nga uji i Vjosës në Memaliaj. Aktualisht po evakuohen banorët në të dy krahët e urës së Mifolit, në fshatrat e Novoselës buzë Vjosës. Deri tani janë evakuuar rreth 90 familje buzë Vjosës, prej të cilave 30 në zonën e Fierit dhe 60 në Vlorë. Po ashtu janë evakuuar edhe 30 familje në Berat. Ministri i Brendshëm i shpreh kryetarit të opozitës gatishmërinë e institucionit për ta informuar në kohë reale lidhur me ecurinë e punës së shtabeve të emergjencës, duke e ftuar njëkohësisht të vetëpërmbahet sepse njerëzve në zonat e përmbytura nuk u bëjnë asnjë punë reshjet e zakonshme të shpifjeve të Partisë Demokratike”, thuhet në deklaratën e MPB.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb