TIRANE – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini nuk do të marrë pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), që do të zhvillohet nesër në Tiranë. Mësohet se Mogherini është detyruar ta anulojë vizitën në Tiranë, për shkak të axhendës. Në një letër dërguar kryediplomatit shqiptar Bushati, Mogherini theksoi se BE mbështet plotësisht nismat për të forcuar bashkëpunimin rajonal, të cilin e vlerëson si një mjet të rëndësishëm për të kapërcyer ndarjet e të kaluarës dhe për të bërë reformat e kërkuara.
Takimi i SEECP sjell në Shqipëri përfaqësues nga 13 vendet pjesëmarrëse të SEECP, përfaqësues të Bashkimit Europian, përfaqësues të Presidencës Letoneze të BE-së dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Takimi do të përshëndetet dhe nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.
Në takimin e së martës do të diskutohen situata në rajon, zhvillimet politike të vendeve të rajonit, prioritetet e Kryesisë Shqiptare, aktivitetet e zhvilluara dhe ato në vazhdim, niveli i bashkëpunimit rajonal, hapat e ndërmarra në procesin e integrimit në strukturat Euroatlantike etj.
Kryesia shqiptare e SEECP-së përbën një angazhim të rëndësishëm politiko-diplomatik, në funksion të promovimit të mëtejshëm të rolit e të politikës së vendit tonë në rajon e më gjerë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: